Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Maliq të Korçës, ku një e mitur 16-vjeçare shfrytëzohej preju disa vitesh për prostitucion. Pas kallëzimit të rastit nga nëna e të miturës në Policinë e Korçës, blutë kanë vënë në pranga dy persona, konkretisht tutorin e 16-vjeçares Marsel Baçi 26 vjeç dhe një klient, shtetasi Selam Hyka 41 vjeç. Ky i fundit dyshohet se ka abuzuar me dhunë të miturën, dhe më pas i ka dhënë asaj një shumë parash. Duke folur për mediat, e ëma e vajzës ka zbuluar detaje të rënda, ku sipas saj autorët e kanë kërcënuar të miturën që të mos fliste, ndërsa kjo e fundit ka tentuar që të vriste vetem disa herë.
“Më tha një grua në fshat që iku me motor. Ajo nuk më tregonte se i ka thënë ai mos trego. E ka kërcënuar. Më tha vajza që do mbytem, i thashë çfarë bëre ti që të mbytesh. E gënjente ai, unë e çoja në shkollë ai e merrte me motor. E pashë që vinte këtej lart dhe i thashë mos hajde më. Më tha që më ngacmonte gjithmonë. Vinin e këta nga Podgoria me motor. S’kam njeri tjetër, jetoj vetëm me mamanë. Vajza është në Tiranë, do vazhdojë shkollën atje. Do ta çonin te doktoresha”, rrëfeu gruaja për gazetaret.
NJOFTIMI I POLICISË:
Dyshohet se shfrytëzonte një 16-vjeçare, për prostitucion, vihet në pranga 26-vjeçari.
Vihet në pranga dhe një shtetas që dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me shtetasen e mitur.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për një rast të shfrytëzimit të një shtetaseje të mitur, për prostitucion, arrestuan shtetasit:
S.H., 41 vjeç, banues në fshatin Leminot, Maliq, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”. Gjatë veprimeve të kryera në prezencë të psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, 16-vjeçarja ka kallëzuar se në muajin qershor të vitit 2024, ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të dhe i ka dhënë para;
M.B., 26 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, pasi nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast, dyshohet se e shfrytëzonte 16-vjeçaren, për prostitucion.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.