Dy persona janë arrestuar nga policia në Maliq, pasi dyshohen se abuzuan seksualisht me një 16-vjeçare, ndërsa mbi njërin prej tyre rëndon akuza e prostitucionit.
Policia ka vënë në pranga një 26-vjeçar për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit si dhe një 41-vjeçar që ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën, dhe më pas i ka dhënë asaj një shumë parash. Sipas informacioneve nga policia në pranga kanë rënë Selam Hyka 41 vjeç dhe Marsel Baçi 26 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur në muajin Qershor të këtij viti. Dy të arrestuarit ndodhen në drejtorinë vendore të policisë së Korçës, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Dyshohet se shfrytëzonte një 16-vjeçare, për prostitucion, vihet në pranga 26-vjeçari.
Vihet në pranga dhe një shtetas që dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me shtetasen e mitur.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për një rast të shfrytëzimit të një shtetaseje të mitur, për prostitucion, arrestuan shtetasit:
S. H., 41 vjeç, banues në fshatin Leminot, Maliq, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”. Gjatë veprimeve të kryera në prezencë të psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, 16-vjeçarja ka kallëzuar se në muajin qershor të vitit 2024, ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të dhe i ka dhënë para;
M. B., 26 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, pasi nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast, dyshohet se e shfrytëzonte 16-vjeçaren, për prostitucion.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.