Kur kanë kaluar pothuajse 3 ditë nga atentati me 3 viktima në Memaliaj, policia nuk ka rënë ende në gjurmët e autorëve, edhe pse thuhet se personi që qëlloi me breshëri në drejtim të lokalit ka qenë i pamaskuar. Gjatë ditës së djeshme burime nga grupi hetimor bënë me dije se autori ishte një person relativisht në moshë të re, i gjatë rreth 1.8 metër, dhe në momentin e krimit ka qenë me të zeza. Gjithashtu u bë publike edhe makina BMW, me targa gjermane, e cila shfaqej në rrugët e Memaliajt disa minuta përpara krimit të rëndë. Pista kryesore në të cilën po heton policia është ajo e hakmarrjes, ndërkohe që objektiv kryesor mbetet Shyqyri Kalemi, babai i Adriatik Kalemit, një personazhi të njohur për policinë.
Sa i takon viktimës, Shyqyri Kalemit, ai ishte rikthyer vetëm së fundi në Memaliaj, pasi aty ndihej më i sigurt, dhe larg konflikteve në të cilat ishin përfshirë djemtë e tij. Por duket se autorët kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të tij, dhe e kanë goditur pikërisht në vendin që shihej edhe si streha e tij më e sigurt, në një lokal ku qëndronte zakonisht me miqtë dhe familjarët e tij, në afërsi të godinës së Bashkisë.
Prej kohësh Shyqyri Kalemi, qëndronte me një rreth të ngushtë njerëzish, kryesisht miq dhe familjarë, për të qëndruar larg problemeve dhe konflkteve. Ditën e ngjarjes, autorët kanë marrë informacion të sigurt për vendndodhjen e tij, dhe kanë qëlluar pa mëshirë me breshëri kallashnikovi, duke mos kursyer askënd që ndodhej në ato momente në lokal.
Si pasojë humbi jetën Shyqyri Kalemi, kamarieri i lokalit Gledi Muka, klienti Marsel Çela, si dhe mbeti i plagosur vëllai i 74-vjeçarit, Artur Kalemi.
Policia ka arritur që përmes kamerave të sigurisë të zbardhë të paktën itinerarin e lëvizjes së automjetit që kanë përdorur autorët. Gjithashtu në makinën e djegur janë gjetur armë zjarri që dyshohet se janë përdorur prej tyre. Dyshimet janë se krimi është realizuar nga vrasës me pagesë, edhe pse hetimet vijojnë për të zbardhur ngjarjen e rëndë.
Dyshimet janë se vrasja në Memaliaj e Shyqyri Kalemit ka lidhje me një zinxhir përplasjesh që kanë nisur që me ekzekutimin në Tiranë të Aleksandër Sadikajt, për të cilin dyshohet se ishte porositur nga Edmond Papa. Ky i fundit është ekzekutuar disa kohë më pas po në Tiranë. Në kushte të tilla duket se ngjarja e 48 orëve më parë në Memaliaj ka lidhje me përplasjet mes fiseve Sadikaj e Kalemaj, dhe atij Papa.