Detaje të reja janë mësuar lidhur me aktivitetin e “Dakut” në Ibiza të Spanjës, atje ku edhe u vendos në pranga. Mediat spanjolle raportojnë se 47-vjeçari Leonard Luzi kishte një mision: të krijonte një shkollë vrasësish shqiptarë në Ibiza. Sipas të njëjtit burim, shqiptari, i cili ishte shpallur në kërkim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ishte vendosur në Spanjë për të marrë pjesë në vrasjen e një “bosi” të një grupi rival të trafikut të drogës. Megjithatë, nuk bëhen me dije detaje të tjera dhe as emri i shënjestrës që i ishte dhënë Dakut, aq më pak porositësi i vrasjes.
“Ky i arratisur i përket një organizate kriminale, e cila është e specializuar në kryerjen e krimeve të rënda kundër njerëzve dhe roli i tij ishte rekrutimi i anëtarëve të grupit dhe udhëzimi i tyre për të kryer vrasje. Hetimi në Spanjë filloi pasi u zbulua nga agjentët që kishin zbuluar lidhjet e tij me një bandë droge. Ai kishte udhëtuar drejt vendit tonë për të planifikuar vrasjen e një bashkatdhetari nga një bandë rivale. Është konsideruar tejet i rrezikshëm,”-bëjnë me dije mediat spanjolle.
Por nuk ndalen me kaq!
Sipas informacioneve të marra nga agjentët që prej kohësh mesa duket e kanë ndjekur aktivitetin e shqiptarit, roli i tij ishte kontakti i drejtpërdrejtë me “financierin e vrasjes”, e më pas transmetonte urdhrat tek anëtarët e grupit që ai kishte nën kontroll. Por fokusi kryesor ishte tek rekrutimi i anëtarëve të rinj, caktimi i misioneve për secilin lidhur me mënyrën sesi do të kryenin vrasjet. Kështu, nëpërmjet komunikimeve të tij, ai u zbulua dhe ndodhej në Ibiza dhe u arrestua.
Por kush është “Daku”?
Leonard Luzi, i njohur me pseudonimin “Daku” u vendos në pranga më 18 korrik nga autoritetet spanjolle pasi ishte shpallur në kërkim për atentatin që nuk u finalizua kurrë ndaj Inez Hajrullës dhe Evis Matodashajt. Pas ekstradimit pritet t’i bashkohet në qeli Amarildo Xhanej Nikollit që gjithashtu u arrestua teksa ishte nisur të vriste Hajrullën. Sipas SPAK, eleminimi i Hajrullës dhe Matodashajt në Vlorë, do të bëhej për tu hakmarrë ndaj vrasjes së Erigert Zejnos dhe për dominimin e tregut të lojërave të fatit. Sipas SPAK, Leonard Luzi (Zejno) është kushëri nga ana e babait me shtetasin Erigert Ferik Zejnon dhe është paguar nga një person, që deri më tani nuk është identifikuar me emër, për të eliminuar fizikisht Matodashajn e Hajrullën. Për kokën e Hajrullës do të jepeshin 500 mijë euro. Në rrëfimin e bërë nga Nikolli flitet për një person që jeton në Dubai dhe që kërkonte me vendosmëri eliminimin e ‘Sakatit’. Bisedat mes Luzit e Nikollit zbulojnë dhe emrin i një personazhi të rëndësishëm të krimit në qytetin e Shkodrës. Ata flasin për një “Dorian”, që për hetuesit, dyshohet se është Dorian Duli. Por të jetë Duli personi që jeton në Dubai dhe kërkon eliminimin e Hajrullës? Një tjetër e dhënë për Luzin është zbuluar nga kunata e Nikollit, Alda Nikolli, e cila në një rrëfim për Top Channel u shpreh se i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani kishte dashur t’i vendoste ‘gjobë’ dhe “Dakut”.