Pas 6 muajsh hetime, policia e shtetit njofton se ka arrestuar një 20-vjeçar, Ermes Hoxhalli, për skemën e mashtrimit me vizat amerikane, që iu premtoheshin gjimnazistëve me rezultate të larta në Shqipëri.
Më 6 qershor, përmes një deklarate Ambasada e SHBA-ve në Tiranë njoftoi se projekti i njohur si “Let’s Talk Together About US24”, po mashtronte duke pretenduar se financohej nga qeveria amerikane, pasi ai nuk kishte asnjë lidhje me Ambasadën e SHBA dhe Departamentin e Shtetit të SHBA.
Ditën e sotme, Policia njofton se ka arrestuar një 20-vjeçar nga Devolli, i cili sipas tyre ka qenë i përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në te gjithë vendin.
Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese.
Njoftimi i policisë:
Hetime proaktive të përbashkëta ndërmjet Policisë së Shtetit, Ambasadës së ShBA-së në Tiranë dhe Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Arrestohet një shtetas shqiptar, i përfshirë në një skemë të madhe mashtrimi, me objektiv sistemin arsimor në te gjithë vendin.
Më datë 22.07.2024, është arrestuar shtetasi E. H., 20 vjeç, banues në Devoll.
Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar një masë sigurimi “Arrest në burg”, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Pas një hetimi gjashtëmujor, nga një grup hetimor i posaçëm, i përbërë nga oficerë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe hetues nga Zyra e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës se Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Seksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zbuluar një skemë mashtrimi e organizuar nga shtetasi tashmë i arrestuari E. H., i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”.
Programet iu premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. I arrestuari E. H. kishte krijuar një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe të institucioneve të tjera arsimore në të gjithë Shqipërinë. Qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë në të gjithë Shqipërinë morën pjesë në këto programe mashtruese.
Policia e Shtetit shqiptar falënderon Prokurorinë e Seksionit të Përgjithshëm, Tiranë dhe Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë, për ndihmën në këtë hetim kompleks dhe për partneriteti.
Çfarë dimë deri më tani lidhur me “projektin”?
“Let’s Talk Together About US” në dukje ishte diçka shumë zyrtare dhe e rregullt, madje dhe me një faqe zyrtare, ku Lamaj dhe koleget e saj prezantoheshin për të gjithë të interesuarit. Kjo skemë, kaq e kuruar, mesa duket i ka pasur rrënjët e shtrira në të gjithë vendin, por e fokusuar në gjimnaze.
“Gjatë vijimësisë së projektit, nxënësve pjesëmarrës u krijohet një sërë mundësish pjesëmarrjeje në aktivitete dhe hartime të ndryshme ide-projektesh. Pjesë janë të gjitha shkollat e arsimit publik shqiptar, dhe rreth 16,000 nxënës maturantë. Çdo shkollë ka një koordinator të cilët formësojnë Strukturën e Koordinuesëve, e cila përbëhet nga Kabineti i Drejtorit dhe dy Komisione Vlerësimi,”-shkruhet në prezantimin e bërë në faqe.
Megjithatë, përveç Lamajt dhe koleges së saj, hetimet po vijojnë për të zbuluar përmasat e kësaj skeme dhe personat që kanë rënë pre e saj