Edison Elezaj u fut i armatosur në restoranin e VIP-ave Savoy Garden dhe pas sherrit plagosi tre persona, çfarë nuk u tha nga ngjarja tronditëse në Tiranë
Plagosja e trefishtë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Tiranë, që kishte për autor Edison Elezajn, ka ndodhur në një lokal luksoz pranë kompleksit Delijorgji në kryeqytet.
Burime bëjnë me dije se djali i pronarit të Ujit Lajthiza ka qenë pjesë e një feste që është zhvilluar në ‘Savoy Garden’, që njihet ndryshe dhe si restorant i VIP-ave në Tiranë, kur ka nxjerrë armën, dhe ka qëlluar në drejtim të tre personave, sipas policisë në mënyrë aksidentale.
Edhe pse vetë Elezaj u largua nga vendi i ngjarjes, dhe 3 të plagosurit u dërguan në një spital privat në Tiranë, policia arriti shpejt në konkluzionin se ngjarja ishte aksidentale, pa dhënë asnjë detaj nëse janë kqyrur apo jo kamerat e sigurisë.
Savoy Garden është një biznes që është hapur këto dy vitet e fundit në Tiranë, dhe sipas të dhënave nga QKB, është në bashkëpronësi nga Elira Ndreaj me 51% të aksioneve dhe nga Ermir Ndreaj me 41% të aksioneve, i njohur si pronar i Cinco Cavallit. Po ashtu ata janë pronarë të një klinike estetike që gjendet gjithashtu në kompleksin Delijorgji në Tiranë.
Duke marrë parasysh standardin e restorantit në fjalë, ku ka padyshim edhe punonjës sigurie, mbetet e paqartë se si Edison Elezaj, arriti që të futej në festë i armatosur, dhe për më tepër la të plagosur 3 persona, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Nëvijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, ju informojmë se:
Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, është bërë i mundur dokumentimi i plotë i autorësisë së ngjarjes, dhe si rezultat:
– u shpall në kërkim shtetasi E. E., 32 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal;
– u arrestuan shtetasit A. D., 38 vjeç, dhe D. Z., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.
Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, si dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit pistoletë TT, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Pas kryerjes së krimit nga shtetasi E. E., dy të arrestuarit, i kanë marrë armën e zjarrit dhe më pas e kanë fshehur atë, me qëllim pengimin e zbulimit të veprës penale dhe të autorit të saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Ngjarja ndodhi gjatë një feste që u zhvillua në ambientet e restorantit “Savoy Garden” në Tiranë, ku Edison Elezaj shkrepi armën duke lënë të lënduar 3 prej personave të pranishëm. Personat që mbetën të plagosur, dhe morën mjekim në spital janë Elona Pinari, dhe dy vëllezër me mbiemtin Pengili.