Mesfushori u çua për të ekzekutuar penalltinë.
Të gjithë i kishin sytë tek lojtari që në fanellë mbante numrin 10, Sebastián Marset.
Ai kishte mbërritur në “Deportivo Capiatá” – një skuadër profesioniste nga askund… Ai ngiste një Lamborghini që kalonte nëpër parkingun me zhavorr, ishte i pashëm, i mbuluar me bixhu ari, Rolex dhe plot tatuazhe.
Në thelb, Marset ishte një lojtar mediokër, pra kishte aftësitë e një adoleshenti që luan me skuadrën e gjimnazit, asgjë të veçantë.
Kur trajneri i Capiatá-s, Jorge Nuñez e mbante në stol, lojtarët e tjerë e rrethuan Nuñez dhe i kërkuan që Marset të luante.
“Vazhdova të pyesja veten, ‘Kush është ky djalë?’,”- tha Nuñez në një intervistë.
Në këtë lojë, Marset kishte marrë përsipër për të qëlluar penalltinë. Rezultati ishte 1-1. Ishte 29 maj 2021, ishte një sezon i vështirë dhe një fitore mund të bënte kthesën. Goli nuk u bë! Heshtja pllakosi stadiumin.
Edhe roja i sigurisë së ekipit nuk mund ta fshihte zhgënjimin e tij duke pyetur me zë të lartë se përse fatin e skuadrës e kishin lënë në duart e Marset. Gjatë dy viteve të ardhshme, arsyet do të bëheshin të qarta. Sebastián Marset, doli të ishte ndër trafikantët më të rëndësishëm të drogës në Amerikën e Jugut dhe një nga figurat kryesore që fshihej pas trafikut të kokainës në Europën Perëndimore.
Në vend që të fshihej nga autoritetet, ai kishte përdorur pasurinë e tij për të blerë dhe sponsorizuar ekipe futbolli në të gjithë Amerikën Latine dhe në Evropë. Hetuesit amerikanë dhe të Amerikës së Jugut zbuluan se ai i përdorte ekipet për të pastruar miliarda të ardhurat që kishte fituar nga droga.
Rrugës, Marset përdori fuqinë dhe pasurinë për të plotësuar ëndrrën e tij të fëmijërisë, të futej në një formacion të një skuadre.
Jeta e Marset është në kufi me absurdin. Ngjitja e tij ishte e shpejtë – në moshën 28-vjeçare, sipas një padie penale paraguaiane, Marset po lëvizte kokainë dhe valixhe me para në të gjithë Amerikën e Jugut me një flotë avionësh privatë. Deri në moshën 31-vjeçare, ai kishte fituar më shumë se 1 miliard dollarë. Ai vendosi pulla në dërgesat e tij të drogës që shkruanin “Mbreti i Jugut”. Nga atje ku ishte jepte urdhra ‘çirakëve’ të tij sesi të paguanin, kujt ti paguanin, ku ta fshihnin drogën, etj. Ai vrau armiqtë e tij pa asnjë shenjë pendese, duke dhënë edhe këshilla sesi të zhdukeshin trupat e tyre.
Marset bëri pak pushim nga trafiku i drogës për të luajtur si futbollist profesionist – fillimisht në Capiatá – ku ai adoptoi të njëjtin ton këmbëngulës si kur koordinonte dërgesat e drogës, madje arriti deri aty saqë e imagjinote veten dirigjent të mesfushës. Deliri arriti deri aty saqë pagoi 10,000 dollarë për të veshur fanellën me numrin 10, vetëm sepse të njëjtin numër mbante të veshur Pelé, Maradona dhe Messi. Kur ai rrëzonte në tokë kundërshtarët, gjyqtarët nuk guxonin që t’i frynin bilbilit për ta ndëshkuar.
Rritja e tij përkoi me shpërthimin e trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë. Por ishte Marset ai që do të ndihmonte në përsosjen e kësaj rruge, duke dërguar tonelata droge nga portet uruguaiane në Belgjikë, Holandë dhe Gjermani. Ndërtimi i këtyre lidhjeve e vendosi Marset në kontakt me disa nga politikanët më të fuqishëm të kontinentit. Ato lidhje ishin të qarta: ai huazoi aeroplanin e një senatori paraguaian, ai u kap duke trafikuar drogë me dajën e një presidenti paraguaian. Më pas, një nga avokatët e tij siguroi takime me zyrtarë të lartë uruguaianë për të vulosur lirimin e tij nga burgu. Megjithatë, disa nga lidhjet e tij më të vlefshme ishin në futbollin profesionist.
Paratë e shpenzuara për këtë sport janë të pagjurmueshme në pjesën më të madhe të Amerikës Latine. Kontratat e lojtarëve, tarifat e transfertave, të ardhurat e biletave, shitjet e mallrave – pothuajse të gjitha mund të fshihen, sipas ekspertëve për pastrimin e parave, në mënyrë që paratë e kokainës që përdoren për financimin e një ekipi të kthehen në mënyrë magjike në fitime futbolli – dhe për rrjedhojë para të pastra.
Por nuk ishte vetëm kaq! Futbolli në Amerikën Latine është themeli i pushtetit dhe i politikës. Për një “mbret droge”, drejtimi i një ekipi futbolli, qoftë edhe në një ligë më të ulët, e përkthen pushtetin kriminal në pushtet publik. Në vitet 1980, Pablo Escobar, mbreti kolumbian i drogës, financoi klubin e tij të futbollit të vendlindjes, Atlético Nacional, duke e kthyer atë në një nga skuadrat më të mira të Amerikës Latine. Kur u arrestua në vitin 1991, ai futi lojtarë të famshëm për të luajtur me të në fushën e burgut. Thjesht sepse mundej!
Në fillim të viteve 2000, Tirso Martínez, një bashkëpunëtor i trafikantit meksikan të drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán, shpenzoi milionat që fitoi duke lëvizur drogën për të blerë disa ekipe futbolli meksikane. Pseudonimi i Martínez u zbulua pasi ai u arrestua dhe u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në 2015. Ai quhej “El Futbolista”.
Por Marset është trafikanti i parë i madh i drogës që përdor statusin dhe pasurinë e tij jo vetëm për të financuar skuadrat profesionale të futbollit, por edhe për të luajtur me to. Në varësi se cilin version besoni, karriera e tij atletike ishte ose një strategji e sofistikuar për të fshehur identitetin e tij, ose një përpjekje për të përmbushur një ëndërr të parealizuar. I pyetur se cila nga këto dy versione qëndronte avokati i Marset, Santiago Moratorio pasi qeshi tha: Ai gjithmonë ka dashur të jetë një futbollist!
Ndërsa autoritetet amerikane dhe ato të Amerikës së Jugut ndiqnin Marset në të gjithë kontinentin, nga Lindja e Mesme në Evropë, ai ishte gjithmonë një hap përpara, zhdukej për t’u rishfaqur në një fushë tjetër futbolli profesionist, shpesh duke përdorur një identitet të ri të rremë. Madje, ai ishte në gjendje që të jepte ryshfet për të dalë nga një burg i Dubait.
Gjatë “karrierës” së tij, ai la pas një numër të madh vrasjesh të personave me profil të lartë, përfshirë edhe prokurorin kundër korrupsionit të Paraguait, i cili u vra gjatë muajit të tij të mjaltit. Ndërsa u ikte autoriteteve, Marset linte audio dhe videomesazhe duke u tallur me autoritetet që e ndiqnin.
“Unë jam shumë i zgjuar për ju. Nëse doni, vazhdoni dhe më kërkoni! Por unë po iu them se jam shumë larg jush,”- tha ai në një video-mesazh, gushtin e kaluar.
Marset ka lindur në Piedras Blancas, një lagje me shtëpi të vogla në nivele të ndara në periferi të Montevideos. Uruguai e kishte konsideruar veten prej kohësh si “Zvicra e Amerikës së Jugut”, me shkallën më të ulët të krimit në kontinent. Por në Piedras Blancas, teksa Marset u fut në vitet e adoleshencës, papritmas u shfaqën të rinjtë duke shitur dhe trafikuar drogë. Vrasjet pasuan shpejt. Marset ishte një student i shkëlqyer në shkollë, një fëmijë i dobët dhe i zgjuar që i pëlqente të qëndronte para të gjithëve dhe t’u jepte leksione shokëve të klasës sikur të ishte mësuesi. Megjithatë, kur u rrit, ai kishte vetëm një qëllim: Të luante si futbollist profesionist. Ai dhe miqtë e tij luanin në rruge. Por pasioni nuk ishte arsyeja se përse Marset donte që të bëhej futbolist, kryesoja ishin paratë.
Ai punonte në një pikë karburanti dhe pagën e tij e harxhoi për të blerë një bluzë të David Beckham Adidas. Shkonte në lokalet e natës që frekuentonin vajza nga lagjet më të pasura. Miqtë thanë se ndonjëherë e shihnin duke ecur vetëm në shtëpi, sepse ai nuk mund e përballonte që të blinte as biletën e autobusit. Pas shkollës së mesme, ai filloi të luante futboll gjysmëprofesional në divizionin e mesëm të Montevideos. Por shpejt u bë e qartë shpejt se Marset nuk do të shkonte më tej. Ai nuk ishte mjaft i shpejtë. Prekja e tij ishte mediokër, pasimet e tij të pakëndshme.
Ndërveprimet e para të Marset me botën kriminale të Montevideos ishin të vogla. Në vitin 2009, në moshën 18-vjeçare, ai u arrestua për mallra të vjedhura dhe vetëm një vit më vonë për poseidim të lëndëve narkotike. Por ai e bëri të qartë se ishte i gatshëm të ndërmerrte më shumë rrezik. Kur ishte 22 vjeç, Marset pranoi një punë më “të madhe”. Ai mori përsipër që të kalonte një ngarkesë me marihuanë, të cilën me një aeroplan të vogël do e çonte në Paraguaj. Zakonisht ishte një detyrë për një ekip, por trafikantët i besuan vetëm Marset për të dërguar në destinacion ngarkesën.
Ajo që ai nuk dinte, ishte fakti se policia ishte informuar për mallin. Ai iu dorëzua menjëherë dy oficerëve të Brigadës Antidrogas, policia elitare kundër narkotikëve në vend. Atyre ai u shpjegoi se ishte një futbollist profesionist.
“Ai ishte mendjemprehtë dhe i respektueshëm,”- kujtoi një nga agjentët.
Por akoma më shpejta mësuan se dërgesa e drogës nuk ishte një çështje amatore; piloti ishte xhaxhai i presidentit të Paraguait në atë kohë, Horacio Cartes.
Marset u dënua me pesë vjet burg për trafik droge. Ai u dërgua në Libertad, një nga burgjet më të mëdha të vendit, dhe u vendos në një seksion të posaçëm për trafikun e drogës dhe krimin e organizuar. Atje ai zgjedhoi kontaktet e tij kriminale. Fillimisht u punësua si pastrues i burgut, punë që i dha akses që të futej në çdo qeli në bllok, duke biseduar me të burgosurit ndërsa pastronte. Ai u takua me trafikantë të shquar ndërkombëtarë të drogës, duke përfshirë anëtarë të mafies italiane dhe brazilianë.
Trafiku i drogës në Amerikën e Jugut ishte në prag të një ndryshimi të madh. Për vite me radhë, kokaina e prodhuar në Kolumbi, Bolivi dhe Peru ishte e lidhur pothuajse ekskluzivisht për Shtetet e Bashkuara. Më pas, nga fundi i viteve 2000, presioni amerikan i detyroi trafikantët të kërkonin tregje të reja dhe rrugë të reja. Dërgesat e mëdha të drogës rrallë kishin lëvizur në jug, në Paraguaj dhe Uruguai. Por Montevideo, vendlindja e Marset, kishte një port që dërgonte sasi masive mallrash komerciale në Evropë çdo ditë. Për trafikantët, ai ishte një burim pothuajse i pashfrytëzuar të ardhurash. Dhe Marset e kuptoi se ai ishte ulur mbi “vezën e artë”. Ai u lirua nga burgu në vitin 2018, në moshën 27-vjeçare. Brenda pak muajsh, ai ishte rrugës për në Paraguaj për të ndërtuar rrjetin e trafikimit që kishte filluar të imagjinonte në burg. Lidhjet që kishte krijuar me personazhë të krimit të organizuar kishin hedhur themelet për të ngritur mitin e tij. Marset filloi të udhëtonte me një pasaportë false boliviane, duke përdorur emrin Gabriel De Souza Beumer.
Ky do të ishte i pari nga identitetet e tij të shumta.
Ndërsa shumica e trafikantëve të arratisur të drogës janë të kujdesshëm kur flasin për perandoritë e tyre, Marset dhe bashkëpunëtorët e tij flasin me krenari për ngjitjen në botën e krimit. Edhe avokati i tij, Moratorio, donte të theksonte aftësitë e klientit të tij.
“Të gjithë dalin nga burgu me kontakte. Por ishte gjithashtu aftësia e tij dhe ajo që bëri kur doli, e çoi atë këtu ku është tani,”-tha Moratorio.
Deri në vitin 2020, autoritetet paraguajane dhe amerikane kishin vënë re një rritje të kokainës që mbërrinte në Paraguaj nga Bolivia, me destinacion Evropën nëpërmjet porteve të Uruguait. Disa nga dërgesat ishin të vulosura me një shkurtim që zyrtarët nuk e kishin parë kurrë më parë: PCU, që do të thoshte Primer Cartel Uruguayo.
Zyrtarët paraguaianë siguruan përgjime në telefonat e lidhur me rrjetin kriminal. Ata rekrutuan spiunë mes trafikantëve të drogës. Administrata e SHBA për Zbatimin e Drogës dërgoi avionë për të fotografuar fushat ajrore që po shfaqeshin në të gjithë Paraguajin. Brenda disa muajsh, zyrtarët nga të dy vendet filluan të dëgjonin për një burrë në qendër të organizatës.
“Një i ri uruguaian, ka krahun e majtë me tatuazhe. Ai është i ri, por shumë i fuqishëm,”- në kërë përfundim dolën dy grupet e punës.
Në linjat telefonike të përgjuara, bashkëpunëtorët dhe punonjësit e tij i referoheshin vetëm si “El Jefe (Shefi i Madh).
Kur udhëtonte, ndonjëherë maskohej si prift, në mënyrë që autoritetet të kishin më pak gjasa që ta merrnin në pyetje.
Aq i fiksuar ishte me futbollin saqë dërgesat e tij të drogës i kodonte “Maradona”, sipas lojtarit legjendar argjentinas, dhe “Manchester”, sipas qytetit anglez me dy skuadra të famshme të Premier League.
Kur u ndje i kërcënuar, përgjigjej dhunshëm. Ai i përshkruante me detaje vrasjet dhe mendonte shumë gjatë se çfatë do bënte me kufomat.
“E qëllova dy herë. Më duket se ka rënë i vdekur. A kemi ku të zhdukim një trup? A është më mirë ta vendosni në acid?”
Për trupin e një viktime tjetër, ai shkroi: Atë e hodhën në një fushë. Do të jetë në lajme në ditët në vijim.
Zyrtarët identifikuan të paktën 13 avionë privatë që përdoreshin nga karteli i tij. Çdo lëvizte i vlente më shumë se 20 milionë dollarë dhe destinacion kishte Belgjikën ose Holandën.
Por përveç drogës, problem për zyrtarët ishte fakti që nuk e gjurmonin dot gjithë kohës, sepse zëri i tij shpesh herë u zhdukej nga përgjimet për një kohë të gjatë. Dhe jo sepse trafikonte drogë, por sepse luante futboll. Një mëngjes me shi në fillim të vitit 2021, punonjësit në stadiumin “Erico Galeano” dëgjuan një motor që rrotullohej në parkingun me zhavorr. Kur u afruan, ata panë një Lamborghini të argjendtë duke ecur me shpejtësi. Roja i sigurisë së ekipit iu afrua makinës. Shoferi uli dritaren.
“E pyeta: “A nuk shqetësohesh se do të të dëmtohet makina?,”-tha roja, ndërsa si përgjigje mori: Mos u shqetëso! Kame dhe 4 të tjera.
Ishte Marset. Ai zgjati dorën e djathtë dhe u prezantua si lojtari më i ri i Deportivo Capiatá-s.
Marset filloi të ndiqte seancat stërvitore dhe të pozonte me ekipin. Ai solli gruan dhe tre djemtë e tij të vegjël për ta parë duke luajtur; ai donte që ata të shihnin teksa fitonte. Ai bëri një marrëveshje me shokët e tij të skuadrës.
Ai do t’i paguante secilit prej tyre disa mijëra dollarë mbi kontratat e tyre ekzistuese për çdo fitore. Për shumë nga lojtarët, ishte një shumë që mund t’u ndryshonte jetën. Për Marset, i cili jetonte në një apartament që kishte dhe sauna dhe pishinë, ato para ishin asgjë. Por Capiatá kishte probleme, pjesërisht për shkak të performancës së Marset.
Ai dështoi pasimet, nuk arriti të gjurmonte siç duhet për të ndihmuar mbrojtësit dhe shkatërronte çdo rast për gol. Në atë kohë, Marset po përpiqej të balanconte karrierën e tij profesionale të futbollit me një jetë shoqërore të gjallë mes elitës në kryeqytetin e Paraguait, Asunción. Më 11 prill 2021, ai dërgoi ftesa në të gjithë qytetin.
Mbi to shkruhej: Ditëlindja e komandantit Sebastián Marset!
Ishte ditëlindja e tij e 30-të. Festa ishte me temë aeroplani. Një avion privat ishte parkuar jashte; torta ishte me pesë nivele, sigurisht edhe ajo kishte një avion sipër. Kur mbërriti në klub në vitin 2021, Marset filloi të financonte skuadrën: shtretër të rinj terapi fizike, televizorë, ushqim më të mirë në kafene. Kaq mjaftoi për të fituar zemrën e shokëve të skuadrës. Marset gjithashtu i bleu vetes një vend në skuadër. Por trajneri i skuadrës, Nuñez, një ish-lojtar i ekipit të Kupës së Botës së Paraguajit, nuk u impresionua.
“Kisha detyrimin të fitoja ose përndryshe do të më pushonin nga puna. Por nuk ishte e njëjta gjë për të. Ai thjesht po argëtohej,”- tha Nuñez.
Në fund të majit 2021, Marset mësoi se oficerët e lëndëve narkotike po përpiqeshin ta gjenin. Nuk shkoi më në stërvitje dhe hoqi emrin nga lista e ekipit.
“Kur dëgjuam emrin “Marset”, pyetëm veten: “Kush është ky djalë?”, kujton një zyrtar i lartë paraguaian.
“Gjëja e parë që bëmë ishte Google dhe më doli se ishte futbollist.”
Agjentët panë se objektivi i tyre deri vonë kishte qenë një mesfushor në Deportivo Capiatá, një ekip që luante jo shumë larg zyrës së tyre me qira. Fjala u përhap në mesin e zyrtarëve të nivelit të lartë paraguaianë, disa prej tyre fanatikë futbolli, të cilët pyesnin veten nëse padashur e kishin parë ndonjëherë që të luante.
Lodra më e re e Marset ishte një ekip i kategorisë së dytë të quajtur Rubio Ñu. Stadiumi i saj ishte rreth 20 milje nga Capiatá. Ekipi luajti në një lagje të klasës së mesme në kryeqytetin e Paraguait, plot me tifozë të guximshëm, por të zhgënjyer vazhdimisht nga Rubio Ñu. Disa kishin lyer shtëpitë e tyre me ngjyrat e ekipit, jeshile dhe të bardhë. Shumë ishin nipërit dhe stërnipërit e mbështetësve të Rubios. Stadiumi po prishej, bari në fushë ishte i copëtuar.
Edhe këtë herë ai u stërvit me ekipin, por nuk luajti asnjë ndeshje. Pas praktikës, ai përdorte të njëjtat fjalë për shokët e skuadrës, ashtu siç i shkruante trafikantëve të drogës që punonin për të: Jini gjithmonë një hap përpara! Marset emëroi vëllain e tij Diego Marset si ndërmjetës midis organizatës së tij të trafikut të drogës dhe ekipit. Në Rubio Ñu, vunë re hetuesit, fokusi i Marset ishte në blerjen dhe shitjen e lojtarëve – një nga format më të vjetra të pastrimit të parave përmes sportit.
Më vonë do të bëhej e qartë se çfarë kishte në mendje Marset, sipas hetuesve: Ai gjeti një ekip në Evropë me lidhjet e veta me krimin transnacional. Ai do të shiste lojtarët e tij paraguaianë atje. Transferimi i lojtarëve të Amerikës Latine në skuadrat e mesme evropiane për tarifa të larta – të përballura nga shitësi, jo nga blerësi, ose duke regjistruar transaksione të rreme – është bërë një mënyrë gjithnjë e më e zakonshme e pastrimit të parave të drogës.
“Ata blejnë një lojtar kolumbian nga një ekip i nivelit shumë të ulët dhe më pas e dërgojnë për të luajtur në Ligën Kroate të Futbollit. Por ata e shesin atë për 100 herë ose 200 herë më shumë se sa kushtoi,”- tha një zyrtar i policisë kolumbiane, duke iu referuar një rasti në të cilin trafikantët shqiptarë të drogës pastronin para përmes të njëjtës mënyrë.
Deri në gusht 2021, hetuesit amerikanë dhe paraguaianë po i afroheshin arrestimit të objektivit të tyre. Pastaj në shtator 2021, Marset u zhduk përsëri. Amerikanët morën informacion të ri: Ai nuk fshihej më në Paraguaj. Ai i kishte shmangur vëzhgimit. Këtë herë ai ishte larguar nga kontinenti.
Një kabllogram i dërguar nga një diplomat uruguaian solli ndalimin e Marset në aeroportin e Dubait, ku autoritetet thanë se ai kishte përdorur një pasaportë të rreme paraguajane. Zyrtarët amerikanë iu drejtuan homologëve të tyre nga Emiratet: Nëse ata nuk do ta zbatonin me rreptësi ndalimin e tij derisa të lëshohej një urdhër arresti nga Paraguai, Marset do t’i jepte ryshfet ose do t’ia dilte nga paraburgimi. Dhe kishin të drejtë! Ashtu ndodhi! Për arsye që mbeten të paqarta, Paraguai nuk ishte në gjendje ose nuk dëshironte të lëshonte një urdhër arresti pasi mësoi për ndalimin e Marset. Ndërkohë, qeveria uruguaiane e njohu Marsetin si një kërcënim, por gjithashtu nuk arriti të parandalonte lirimin e tij.
Çfarë po bënte Marset në Dubai në radhë të parë?
Më vonë do të gjenin foto të tij të veshur si sheik me një skifter në biceps, në majë të rrokaqiellit Burj Khalifa me gruan e tij, në një ekskursion në shkretëtirë me trafikantin bolivian të drogës Erland Ivar García López.
Të dhënat e pasurive të paluajtshme të rishikuara nga The Post tregojnë se Marset zotëronte më shumë se 18 milionë dollarë pasuri të paluajtshme në Dubai.
Zyrtarët e Emirateve nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Kur hetuesit morën të dhënat e fluturimit të Marset, ata mësuan se Dubai nuk kishte qenë destinacioni i tij përfundimtar. Ai kishte planifikuar një udhëtim në Greqi.
“Filluam të pyesnim: “Çfarë pune kishte ai në Greqi?,”- tha një hetues paraguaian.
“Trikala FC” është një skuadër me qendër në Greqinë qendrore, 200 milje në veriperëndim të Athinës. Baza e tifozëve të skuadrës ishte zvogëluar jo vetëm pasi Trikala vazhdonte të humbiste, por pasi u ekspozuan lidhjet e saj me krimin e organizuar dhe trukimet e ndeshjeve.
Në fillim të këtij viti, ish-pronari i saj, Christos Gialia, u qëllua më shumë se një duzinë herë me një pushkë kallashnikovi dhe u dogj në makinën e tij në një vrasje të stilit mafioz.
Ai ishte arrestuar edhe më parë me akuzën e trafikut të armëve dhe drogës. Presidenti i ekipit, Sakis Karatzounis, u dënua për trafik droge në vitin 2017 pasi iu gjetën 20 kilogramë kokainë dhe kreu katër vjet burg.
KF Trikala rekrutonte ndonjëherë trajnerë të huaj, të cilët tronditeshin nga ajo që mësuan. Në vitin 2021, skuadra punësoi David Magrone, një ish-anëtar i stafit stërvitor në Tottenham në Premier League të Anglisë.
Magrone u largua pas 10 ditësh, duke u thënë gazetarëve të futbollit se ishte i skandalizuar.
“Është mjedisi më amator dhe joprofesional në të cilin kam hyrë ndonjeherë,”- tha Magrone në një intervistë me FTBL, një faqe interneti australiane e futbollit.
Magrone tha se ishte në dijeni të përfshirjes së mundshme të ekipit në trukimet e ndeshjeve. Por aktivitetet e paligjshme të Trikalës dukej se ishin më të thella.
Disa javë pas largimit të Magrone, në shtator 2021, një SUV mbërriti në stadiumin e Trikala-s me katër lojtarë paraguaianë dhe disa trajnerë dhe trajnerë.
Një trajner, Manuel Caceres, filloi menjëherë të paguante punonjësit grekë të ekipit me para në dorë dhe filloi të fliste për planet për të blerë ekipin. Caceres nuk mund të kontaktohej për koment. Lojtarët dhe stafi ishin të hutuar, edhe pse u pëlqeu vala e papritur e burimeve të reja.
Më 7 mars, Interpoli lëshoi ??një urdhër arresti ndërkombëtar në emër të Marset.
Por deri atëherë, ai ishte sërish në arrati. Në Uruguaj shpërtheu lajmi sesi ai kishte arritur të siguronte një pasaportë të re edhe pse ishte në burg në Dubai. Së pari, ministri i Jashtëm dha dorëheqjen.
Pastaj ministri i Brendshëm dhe një nga këshilltarët e tij kryesorë. Por presidenti i Uruguait, Luis Lacalle Pou, tha se problemi ishin ligjet e Uruguait, jo korrupsioni brenda qeverisë së tij.
“A na pëlqen që një trafikant droge të ketë pasaportë? Sigurisht që jo. Por ky është ligji aktual,”- tha Lacalle Pou në një konferencë shtypi.
Ndërkohë që debati vazhdonte, telefoni gumëzhinte në redaksinë e Channel 4, një prej transmetuesve më të njohur të Uruguait.
Ishte një mesazh me video nga një numër nga Afrika e Jugut. Dërguesi u prezantua si Sebastián Marset.
Ishte gushti i vitit 2022, muaj pas lirimit të tij nga burgu i Dubait. Marset u dërgoi një video-mesazh gazetarëve, të cilët e transmetuan atë në transmetimin e natës të “Telenoche”. Ai ishte mërzitur për akuzat e ngritura kundër tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“Ata nuk kanë asnjë provë për asgjë nga ato që thonë. Asnjë!,”- tha ai në video, në të cilën mban syze dielli dhe një maskë për fytyrën.
Zyrtarët amerikanë, paraguaianë dhe uruguaianë po e kërkonin përsëri. Droga që kalonte nga Bolivia në Uruguaj dhe në Evropë ishte rritur. Hetuesit besonin se ai ende drejtonte grupin, nga kudo ishte.
Pastaj erdhi një tjetër informacion.
Marset ishte në Bolivi. Por ai nuk fshihej vetëm aty. Ai po luante për një tjetër ekip profesionist futbolli. Lojtarët e “Leones del Torno” kishin një shok të ri skuadre. Si gjithmonë, ndër lojtarët më të ngadaltë ishte një ‘brazilian i pashëm’, me tatuazhe, i quajtur Luis Amorim.
Ai ishte jashtë forme dhe i plogësht në fushë. Por ai ishte gjithmonë i veshur mirë dhe me mjete të shtrenjte.
Kur e pyesnin: Si ia ka dalë mor burrë?
Ai u përgjigjej: E gjitha ka të bëjë me punën. Ju duhet të punoni, të punoni dhe të punoni. Nuk mund të dorëzohesh kurrë.
Në fushën e futbollit, Marset mbante numrin 23, numrin e David Beckham në Real Madrid dhe Galaxy.
Emri në anën e pasme të fanellës së tij blu ishte vetëm “Luis”. Aftësitë e tij nuk ishin përmirësuar.
“Ai nuk ishte i mirë. Kur ia kaloja topin, ai shumë herë e humbiste. Unë zemërohesha me të,”- tha një lojtar uruguaian i Leones, Lucas Casavieja.
Në maj 2023, autoritetet boliviane morën një telefonatë nga policia kundër narkotikëve paraguajane. Paraguaianët kishin gjurmuar Marset në Santa Cruz dhe kishin nevojë që bolivianët të vepronin.
Policia boliviane thotë se filloi të vëzhgonte rezidencën e Marset. Ata fluturuan një dron lart dhe vendosën policë në lagjen e tij.
Marset fshihej me gruan dhe katër fëmijët e tij, të cilët gjithashtu përdornin emra të rremë. Për kapjen e tij u organizua një megaoperacion me 3000 policë bolivianë, por kur aksioni nisi, ai ishte larguar edhe njëherë.
Disa javë pas zhdukjes së Marset, Jessica Echeverría, një avokate në Santa Cruz me një numër të madh ndjekësish në mediat sociale, mori një mesazh nga një numër që ajo nuk e njihte, përktheu zëri.
Kur ajo e hapi, kishte një video me fytyrën e Marset, i cili thoshte: Falë ndihmës së drejtorit të policisë kundër narkotikëve, arrita të largohem. Ai më tha se ministri kishte lëshuar një urdhër arresti kundër meje.
Disa javë më vonë, ai u dërgoi një video tjetër gazetarëve vendas.
“Unë jam shumë i zgjuar për ju. Nuk do të thotë se jeni shumë budallenj; tingëllon pak më mirë të thuash se jam thjesht më i zgjuar,” – tha ai, duke tallur policinë boliviane
Ai kërcënoi se do të zbulonte zyrtarët e korruptuar bolivianë që e kishin lejuar të jetonte i lirë dhe të shpëtonte i padëmtuar: Nëse hap gojën, bëhet e ndërlikuar. Aktualisht, Marset mbetet i lirë, objektivi i një gjuetie të vazhdueshme, një nga më të gjatat në historinë e fundit të Amerikës së Jugut./