Donald Trump mund të jetë sabotuar nga shërbimet e sigurisë në atentatin e dështuar ndaj tij, kur ndaj kandidatit republikan u qëllua disa herë para se 20-vjeçari që dyshohet si atentori Thomas Matthew Crooks, të qëllohej për vdekje nga snajperët e Shërbimit Sekret.
Në videot e shpërndara së fundmi nga kënde të ndryshme, duken qartazi dy snajperistë të Shërbimit Sekret që e kanë në shënjestër atentatorin duke e eliminuar atë vetëm pasi ai kishte qëlluar disa herë ndaj ish-presidentit Trump duke e plagosur këtë të fundit, duke vrarë një pjesëmarrës në tubim dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë.
Është i çudishëm mosreagimi i tyre që në çastin e parë që pikasën 20-vjeçarin duke e lënë të qëllonte, ndërkohë që ata janë të stërvitur dhe misioni i tyre i vetëm është eliminimi i menjëhershëm i çdo rreziku a personazhi të dyshimtë, për më tepër një personi të armatosur.
Hyrja e të riut të armatosur me një pushkë sulmi të modelit AR dhe më pas ngjitja e tij në çatinë përbri Trump, ku ai qëlloi nga një largësi prej rreth 120 metrash pa u diktuar më herët, është e habitshme.
Detaji i dytë është dëshmia okulare e një personi, i cili pohoi se kishte lajmëruar policinë dhe Shërbimin Sekret për disa minuta për praninë e atentatorit të armatosur, por nuk ishte marrë parasysh.
I riu tregon se pasi ka pikasur 20-vjeçarin të armatosur duke u zvarritur mbi tarracë ka lajmëruar policinë, e cila sipas tij ka reaguar e habitur dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
Më pas për 2-3 minuta ai pohon se ka treguar me dorë nga vendi ku ndodhej atentatori duke parë nga Shërbimi Sekret që po mbikëqyrte me dylbi vendin ku bëhej mitingu.
Sipas tij kanë kaluar 2-3 minuta pa u është marre asnjë masë, para se atentatori të qëllonte disa herë para se të eliminohej.
“Ne po bënim një festë këtu gjatë ditës dhe kishim menduar të afroheshim të dëgjonim Trump-in kur të fliste, do rrinim te ato pemët aty nën hije. Më pas 5 apo 7 minuta pasi Trump kishte nisur të fliste ne pamë atë djalin duke u zvarritur sipër taracës, as 15 metra larg nesh. Në po tregonim me gisht nga ai, mund ta shihnim qartësisht se kishte një pushkë. Policia po lëvizte aty afër dhe ne u thamë: Hej, atje në tarracë është një djalë i armatosur me një pushkë dhe ata reaguan të habitur, dukej sikur nuk e kishin idenë fare se çfarë po ndodhte. Ua tërhoqëm sërish vëmendjen duke u thënë se djali i armatosur me pushkë po zvarritej mbi tarracë. Më pas po habitesha pse po e linin Trumpin ende të fliste dhe nuk po e largonin nga podiumi, ndërkohë që vijoja të tregoja me gisht nga djali me pushkë sipër tarracës. Ndërkohë për 2-3 minuta unë po tregoja me gisht nga djali dhe Shërbimi Sekret po na shihte nga sipër hambarit me dylbi dhe pak më pas 5 të shtëna u dëgjuan.” – tha ai.
Ish-agjentë të Shërbimit Sekret në analizat e tyre për mediat në SHBA kanë shprehur çudinë e tyre, si me faktin që atentatori nuk ishte pikasur më herët, ashtu edhe me faktin se ai qëlloi disa herë para se të eliminohej, duke theksuar se ka ndodhur një dështim katastrofik i sigurisë së Trump.
Video të shumta tregojnë agjentët e Shërbimit Sekret në çastin kur qëllojnë për vdekje 20-vjeçarin ndërkohë që e kishin në dylbitë e snajperit pak para se 20-vjeçari të qëllonte ish-presidentin. /Hashtag.al