Grusht koleges Liljana Billa, Mirdaim Axhami del nga burgu, gjykata i ndalon daljen nga Shqipëria
Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu shefin e departamentit të Marketingut në Fakultetin e Ekonomisë, Mirdaim Axhami, i cili dhunoi pak ditë më parë kolegen e tij Liljana Elmazi Billa. Ndaj tij Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë ndalim për të dalë jashtë vendit, njësoj siç ishte dhe kërkesa e Prokurorisë së Tiranës.
Dosja e Prokurorisë, si nisi konflikti mes tyre
Në dosjen e Prokurorisë së Tiranës, referuar dhe dëshmive nga pedagogia Liljana Elmazi Billa, Mirdaim Axhami, senatori i studentëve Elion Mulgeci dhe dekani i fakultetit Dhori Kule, Prokuroria ka ngritur akuzën për kryerjen e veprës penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në mjediset e institucionit ku personi ushtron detyrën, funksionin…, bazuar në nenin 237/5 i Kodit Penal dhe “Vetgjyqsisë” sipas nenit 227.
Gjithçka ka nisur më datë 5 Korrik, kur Liljana Elmazi Billa kishte provim në lëndën “Kërkimi i Aplikuar Master Shkencor”. Të shtunën e kaluar, referuar dosjes, Billës i ka ardhur një email nga Axhami, ku ky i fundit i kërkon t’i dergojë materialet pasi ai do caktonte një komision për të bërë tezën e provimit, duke qenë se pedagogia kishte marrë leje për shkak se e ëma ishte sëmurë. Sipas deklarimeve të Billës, ajo i ka thënë se do shkojë vetë ne fakultet për të firmosur tezën e provimeve dhe ditën që ka shkuar është ngjitur në zyrën e Mirdaim Axhamit dhe i ka kërkuar që dhe ai të hedhë firmën e vet. Shefi i Departamentit ka refuzuar të firmosë me argumentin se teza duhet të studiohet, një procedurë kjo që shkel rregulloren, siç shprehet Billa.
Pas këtij episodi, Billa ka shkuar në zyrën e Dekanit, Dhori Kule ku i ka adresuar shqetësimin e saj. Ky i fundit e këshilloi atë të pergatisë një tezë të re, procedurë që Liljana Billa e kreu dhe madje studentët iu nënshtruan provimit. Por sipas Prokurorisë, në momentin që po zhvillohej provimi, Axhami konstatoi një gjë të tillë dhe i kërkoi llogari Billës që përse po bëhet teza pa firmën e tij. Ky i fundit madje e ka kërcënuar duke i thënë “Siç e hodhe në plehra tezën, ashtu do të hedh dhe unë ty në plehra” dhe e dhunoi fizikisht duke e goditur disa herë me grusht ne fytyrë, konkretisht në sy, ku dallohej shenja e dhunës.
Për shkak të goditjeve, pedagogia ka rënë pa ndjenja në tokë. Shenjat e dhunës konstatohen dhe në fytyrën e Billës. Më pas kur ajo ka tentuar të ngrihet dhe të marrë në dorë telefonin, Axhami ia ka marrë me forcë duke i thyer thonjtë. Pas këtij episodi ka dalë me vrap nga godina. Në deklarimet e dhëna, Billa shprehet se ra pa ndjenja për shkak te goditjes së fortë dhe ajo e akuzon Axhamin se e ka goditur për arsye të përfitimit monetar, marrë shkas dhe nga këmbëngulja e tij që të studionte tezën paraprakisht.
Prokuroria nuk ka mundur ende të disponoi raportin mjeko-ligjor të Liljana Elmazi Billës, por nisur nga kayrja e jashtme, e dokumentuar me proces verbal dhe fotografi, në pjesën e djathtë të fytyrës vërehen disa gërvishtje me skuqje dhe syri i djathtë i dëmtuar si dhe gërvishtje me njolla gjaku. Në deklarimin e tij, Axhami është shprehur se në momentin që ka parë Billën ulur në karrige në korridorin e fakultetit, e ka pyetur se përse po e bën tezën të pa miratuar nga përgjegjësi i departamentit dhe se kjo e fundit ka ngritur telefonin për ta filmuar.
Mirdaim Axhami shprehet se ai ka tentuar të pengojë filmimin, por është përballur me dhunë nga ana e Billës, e cila sipas tij, e ka gërvishtur. Kjo shton ai, i ka shkaktuar dëmtime në disa pjesë të trupit. Nga kqyrja e jashtme e trupit të Axhamit është konstatuar se në pjesën e parakrahut të djathtë, ka disa gërvishtje me skuqje si dhe në pjesën e majtë të shpatullës ka të njëjtat gërvishtje si dhe te gishti i madh i dorës së djathtë, një të çarë me njollë gjaku.