Xhimi Bakaj, një 23 vjeçar nga Fieri, ka mbetur i vdekur mbrëmjen e djeshme.
Ai është qëlluar me thikë nga një 39 vjeçar, i cili ishte ish-burri i vajzës me të cilën ai kishte nisur të bashkëjetonte prej dy muajsh.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rrugën “Ramiz Aranitasi” të qytetit të Fierit dhe 23 vjeçari është qëlluar tre herë me thikë nga Xhuliano Miho.
Ata kanë debatuar e janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, deri në momentin kur ish-burri i vajzës me të cilën bashkëjetonte viktima ka marrë thikën dhe e ka qëlluar tre herë në pjesë të ndryshme të trupit Xhimi Bakaj. I riu u dërgua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë.
Autori Xhuliano Miho ishte prej muajsh në proces divorci me bashkëshorten, e cila kishte marrë me vete dhe tre fëmijët.
Ajo ishte larguar nga shtëpia e burrit 39 vjeçar dhe bashkëjetonte me 23 vjeçarin Xhimi Bakaj, së bashku me tre fëmijët. Në kushtet kur padia nuk kishte kaluar ende në fazë shqyrtimi nga Gjykata e Fierit, palët kishin konflikte, aq më tepër kur në mes ishin dhe tre fëmijët.
Kur është shoqëruar në Policinë e Fierit, autori Xhuliano Miho është shprehur se thika me të cilën kreu vrasjen nuk ishte e tija, por e viktimës.
Sipas tij, 23 vjeçari e kishte qëlluar me grusht gjatë sherrit që kishin pasur në rrugën kryesore të Fierit, përballë shkollës “Petro Sota”, ndërsa me vete kishte edhe një thikë.
Për t’u vetëmbrojtur, ai ka deklaruar se ka marrë thikën dhe ka plagosur Xhimi Bakaj. Nga plagët, ai vdiq në spital.