63-vjeçari nga Lezha, Pal Trashaj i dha fund jetës duke pirë fostoksinë dy ditë më parë, 2 korrik, jashtë ambienteve të SPAK.
Vdekja e studiuesit ka ngjallur reagime të shumta e tronditi familjarët e tij. Ndërsa djali i 63-vjeçarit pohoi se i ati ndërmori aktin ekstrem pasi nuk po gjente drejtësi. Edhe Princ Leka ka bërë një reagim pas vdekjes së Trashajt.
“Ne vajtojmë humbjen tragjike të historianit Pal Trashaj, jeta e të cilit përfundoi nën peshën e padurueshme të vështirësive financiare. Kjo nxjerr në pah luftën e heshtur që shumë njerëz përballlen për shkak të borxheve dhe mungesës së mbështjetjes.
Të nderojmë Palin duke avokuar për më shumë mbështetje pë rata që kanë nevojë, duke u siguruar që askush tjetër të mos vuajë në heshtje”, shkruan Leka duke ndarë edhe një foto me të ndjerin.
SPAK sqaroi se qytetari kishte kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve rezultoi se nuk ishte kompetencë e prokurorisë së posaçme.
Në fakt, bëhet fjalë për dosjen famëkeqe të mikrokredive.
Pal Trashaj është një nga mijëra qytetarët që u zhvatën nga skema e kredive të vogla. Ai mori një kredi prej 76 mijë lekë, ndërsa më pas borxhi arriti në 408 mijë lekë.
Për pasojë, zyrat përmbarimore kishin vënë nën sekuestro shtëpinë e tij dhe i kishin ngrirë llogaritë bankare, madje edhe pagat e familjarëve. Në këto kushte ai ishte paraqitur në SPAK për të kërkuar zgjidhje.