Performanca katastrofike e Joe Biden në debatin e parë presidencial ka rindezur shqetësimet e demokratëve. Gjatë diskutimit, ndërsa presidenti dukej i lodhur dhe konfuz, drejtuesit e partisë shkëmbyen mesazhe të shqetësuara, duke pyetur se çfarë të bënin në kuadër të zgjedhjeve të 5 nëntorit.
“Ai dukej i çorientuar,” tha konsulenti politik David Axelrod, njeriu që ndihmoi në zgjedhjen e Barack Obamës, disa minuta pas përfundimit të debatit. “Do të ketë shumë diskutime nëse do të lejohet të vazhdojë”. Dhe nëse demokratët vazhdojnë të mbështesin publikisht kandidaturën e Biden, ata privatisht po pyesin se çfarë duhet të bëjnë.
Nuk ka ndodhur kurrë që një kandidat të dorëzohet në këtë pikë të fushatës elektorale, ka shumë mundësi që të rezultojë një vendim i dështuar.
Nëse do të bëhej e nevojshme, Biden do të qëndronte në detyrë deri në fund të mandatit të tij siç ndodhi me Lyndon Johnson në 1968, por delegatët që ai fitoi gjatë zgjedhjeve paraprake – 95% e 4 mijë totalit – do të riktheheshin në shesh për t’u marrë.
Zëvendësuesi do të zgjidhej kështu gjatë konventës së gushtit në Çikago, ndërsa nëse Biden tërhiqej pas konventës, do t’i takonte partisë që të zgjidhte pasardhësin e tij.
Nuk ka shumë emra të gatshëm për të kërcyer në bandën presidenciale dhe ata duhet të luftojnë për të fituar votën e delegatëve të lënë nga Biden.
Hipoteza më konkrete është zëvendëspresidentja Kamala Harris, edhe pse rregullat e partisë nuk i japin asaj ndonjë avantazh nëse Biden vendos të tërhiqet.
Ajo nuk do të merrte automatikisht delegatë, por presidenti mund të përpiqet të ndikojë në proces duke i dhënë asaj miratimin e tij.
Më i pëlqyeri është guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom: relativisht i ri, i pashëm, me profil kombëtar, edhe nëse është prekur nga disa skandale. Newsom ishte në Atlanta dhe u përsëriti gazetarëve se partia mbetet e bashkuar me presidentin.
Emri i tretë është ai i guvernatores së Miçiganit, Gretchen Whitmer, e njohur mbi të gjitha sepse gjatë Covid-it ajo iu kundërvu me mjeshtëri Donald Trump, i cili nxiti protestat kundër kufizimeve që ajo kishte vendosur, dhe më pas për tentativën e rrëmbimit të saj nga një milici që përfundoi me nëntë dënime.
Pastaj janë disa emra në rreshtin e dytë: guvernatori i Pensilvanisë Josh Shapiro, ai i Illinois J.B Pritzker, kongresmeni i Kalifornisë Ro Khanna.
Së fundi, është sugjerimi i përjetshëm ai i Michelle Obamës, i rilançuar nga shumë njerëz, por i refuzuar – më shumë se një herë – nga vetë ish-Zonja e Parë, e cila pretendon se nuk ka ndërmend të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.