I sekuestrohet kompania për pastrim parash, kush është Vladimir Avrami dhe emërimi i të birit Arber Avrami drejtor i kompanisë shtetërore të Gazit?
Në aksionin e djeshëm (28 qershor) të Prokurorisë së Tiranës, u sekuestruan rreth 50 milionë euro pasuri në pronësi të biznesmenit kontrovers, Kristian Boçi, bënin pjesë 14 shoqëri tregtare dhe dy HEC-e sipas vna.
Një prej tyre ishte edhe shoqëria “Europa Bilding” në pronësi të Vladimir Avramit.
Në akuzë theksohet se Vladimir Avrami së bashku me Kristjan Boçin dhe Elman Abulen, përmes disa kompanive kishin krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave.
Por Vladimir Avrami nuk është kaq i panjohur për socialistët.
Jo rastësisht djali i tij, Arbër Avrami është administrator i shoqërisë shtetërore “Albgaz”. Kjo shoqëri ka si qëllim shpërndarjen e gazit natyror në Republikën e Shqipërisë.
Emërimi i tij është bërë në vitin 2018 nga Damian Gjiknuri. Ish ministri socialist gjithashtu ka qenë disa herë në SPAK për afera të ngjashme korruptive.
Ndërkaq të gjitha kompanitë e sekuestruara janë të lidhura me fije të dukshme dhe të padukshme me njëra tjetrën dhe sigurisht me politikanë të lartë. Media ka publikuar dhe foto të udhëtimeve të kryetarit të Bashkisë së Tiranës me Elman Abulen.
Vladimir Avrami është njëkohësisht dhe konsull nderi i Qipros në Shqipëri.
Jo rrallëherë këto emërime pa kriter nga shteti shqiptar janë përdorur nga persona të vetëquajtur biznesmenë por që kanë rezultuar të përfshirë në trafik të lëndëve narkotike apo pastrim parash.
Skema e pastrimit të parave
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuri me vlerë 50 mln euro të Krisjan Boçit, të dënuar për drogë në Belgjikë, E.A dhe 5 persona të tjerë, pasi dyshohet se ishin përfshirë në skemën e pastrimit të parave në Shqipëri, ku rol kishin edhe bashkëshortet e tyre.
Mes pasurive të sekuestruara janë 14 njësi tregtare, llogari bankare, dyqane, garazhe, apartamente dhe një automjet me vlerë 117 mijë euro në pronësi të Kristjan Boçit.
Prokuroria e Tiranës informon se nga hetimet ka rezultuar se E.A, i cili ka kryer dënimin për trafik droge në Belgjikë në kuadër të grupeve kriminale, ka themeluar një sërë shoqërish tregtare me qëllimin për të maskuar kryerjen e aktiviteteve të paligjshme nga ana e tij, me veprimtari të konsideruara si të ligjshme.
Raportohet se E.A, nëpërmjet krijimit të një sërë kompanive, disa prej tyre nën administrimin Kristjan Boçit dhe Vladimir Avrami, kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave.
“Nga hetimet është konstatuar kryerja e disa veprime fiktive si p.sh.: shitje – blerje automjeti, ku në të njëjtën ditë është kryer anullimi i veprimit juridik, duke u shitur më tej mjeti me çmim shumë të lartë, marrja e kredive nga banka të nivelit të dytë, në nivele të pajustifikuara, ku vetë banka çuditësisht del edhe garant i shumave të dhëna”, informon organi hetues.
Gjithashtu rezulton se janë krijuar shoqëri fiktive, të cilat pavarësisht se nuk kanë kryer aktivitet financiar kanë pasur rritje të dukshme të kapitalit themeltar.
Janë dhënë hua në shuma të konsiderueshme, por duke mos u justifikuar burimi i ligjshëm i krijimit të tyre, si edhe janë krijuar shoqëri me kuota të përbashkëta midis shtetasit me iniciale E. A. dhe Kristjan Boçit, duke u përcaktuar vlera të mëdha të kuotave, por të pashlyera nga ortakët respektivë, blerja e heceve me vlera të konsiderueshme, por të papërligjur burimi i të ardhurave, etj.