Qindra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes për të protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë, pas zbulimit të skandalit te Onkologjiku ku mjekët bënin pazare me pacientët e sëmurë me kancer duke i dërguar në klinika private.
Qytetarët kanë kërkuar që SPAK të nisë hetimet, nisur nga ky skandal, për të gjitha repartet e QSU-së.
“Ky është një skandal i madh. Thonë mjekët pa pikë turpi hajde se ja japim gjysmë mjekimi atij qytetarit. Është shumë turp. Prokuroria ka nisur hetim dhe është lajm i mirë. Por akuzat janë të lehta. Ti ke vrarë njerëz e si mund të hetohesh ti për shpërdorim detyre.
SPAK të hetojë, çdo repart në QSUT, sepse çdo repart ka grupe të tilla, që çojnë qytetarët tek klinikat e tyre për t’i zhvatur. Fatkeqësisht në Shqipëri, nga të sëmurët ngelin ata që shesin shtëpinë, tokën, lopën, hyjnë në kredi, për t’u shëruar se nuk kanë mundësi ekonomike”, tha gazetari Osman Stafa, i cili ndodhej i pranishëm në protestë.