Në pamundësi për të kapur dhe vrarë, Sajmo Xhelilin dhe shokun e tij Xhulio Shkurti, nipin e Alfred Shkurtit, Laert Haxhiu ka vënë në zbatim një strategji tjetër, duke vendosur tritol në banesa, makina dhe terrorizuar çdo person që i jepte ndihmë dy djemve objektivë për tu vrarë.
Për të futur në gjendje terrori personat që ndihmonin Xhelilin dhe Shkurtin, Laert Haxhiu ka urdhëruar Artan Tafanin dhe Lulzim Arapin, të vendosnin një minë anti-tank në derën e shtëpisë.
Në dy atentate të organizuara ndaj tyre në qytetin e Lushnjës, Laert Haxhiu, vetëm në një rast ka mundur të plagosë Xhulio Shkurtin, episod kriminal për të cilin është dënuar me 18 vite burgim
Dhe në rastin e dytë në vitin 2017 për atentatin kundër tyre, Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Ardian Ahmetaj, i njohur ndryshe me nofkën “Pepe”, dështuan për ekzekutimin e Xhelilit dhe Shkurtit, duke vrarë dy djem të pafajshëm Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi.
Në dëshminë e të arrestuarit Artan alias Marjus Tafani, të siguruar nga “Ora News” jepet një tablu e qartë se si grupi kriminal i drejtuar nga Laert Haxhiu, vendoste tritol në banesa dhe automjetet që posedoheshin nga personat që Laert Haxhiu mendonte dhe dyshonte se strehonin apo ndihmonin Sajmo Xhelilin dhe mikun e tij, Xhulio Shkurtin.
Tafani tregon se gjatë muajit shtator-tetor 2022, Lulzim Arapo, Laert Haxhiu dhe Artan Tafani, kanë qënë në Tiranë, ku Laerti i ka dhënë porosi të vendosnin tritol tek banesa e një personi, i cili sipas Laertit, kishte strehuar dhe ndihmuar Sajmo Xhelilin, të cilin Laerti e kishte armik se i përkiste grupit rival të Aldo Bares.
“…në këtë ngjarje kam shkuar me një automjet “Golf 5” gri, që e kisha marrë me qera me një patentë që ma dha Luli, e cila ishte në emër të njërit nga Çerma, që quhej A. Muça dhe ma kapën në Sarandë brenda automjetit para se të arrestohesha. Kam shkuar bashkë me Lulin, me vete kishim marrë dhe një kallëp tritoli të madh në formë rrethore, më duket quhet “Minë këmbësorie”, që plas kur e shtyp Tanku. Në këtë kallëp kishte goxha tritol, sepse ishte shumë e rëndë, ishte minë që përdorej kundër tankeve. Kapsollën, kjo e kishte në mes dhe ndizej aty. Banesa ndodhej lart spitalit dhe aty ishin 2 vila të kuqe që i kanë dy vëllezër, të cilët nuk i njoh me emër. Unë minën anti-tank e vendosa tek vila nga krahu i qytetit dhe jo nga vila, e cila ishte në krahun e Karbunarës. Fitilin e ndezi Luli dhe kur shkuam tek makina, dëgjova që plasi vetëm kapsollja, por jo mina. Ne u larguam dhe tritolin e lamë aty nuk e morëm dot. Nga aty kemi shkuar në Tiranë bashkë me Lulzim Arapin…”-ka rrëfyer Artan Tafani në prokurorinë e posaçme SPAK.