Ndeshja mes Shqipërisë dhe Kroacisë është cilësuar nga mediat ndërkombëtare si një nga ndeshjet më të bukura të këtij Kampionati Europian.
Shqipëria barazoi 2-2 kundër Kroacisë duke marrë në këtë mënyrë një pikë dhe të kapë vendin e tretë në Grupin B të Europianit. Kuqezinjtë lënë pas kroatët për shkak të golavarazhit më të mirë.
Barazimi i Shqipërisë me Kroacinë ishte edhe një “dhuratë” për Italinë që mbetet në vendin e dytë dhe mban poshtë saj kroatët, kundërshtarët e fundit të skuadrës së Spalleti.
Në pritje edhe të ndeshjes mes dy pretendenteve për fitimin e Europianit, Italisë dhe Spanjës mbrëmjen e së enjtes, të gjithë kanë nisur të bëjnë llogaritë se si mund të kualifikohet Shqipëria.
Për të marrë vendin e dytë në grup është shumë e vështirë pasi përveç fitores ndaj Spanjës në ndeshjen e fundit të 24 qershorit duhet që Italia të humbë thellë ndaj Spanjës dhe Kroacia të fitojë minimalisht ndaj axurrëve.
Skenar i komplikuar. Ndaj, Shqipëria duhet të synojë kalimin më tej nëpërmjet 4 vendeve të treta më të mira që do të dalin nga 6 grupet.
Momentalisht Shqipëria mban vendin e dytë në listën e vendeve të treta më të mira, pas Sllovenisë. Megjithatë skuadra e Sylvinho ka luajtur një ndeshje më shumë se skuadrat e tjera dhe do të duhet të pritet si do të shkojnë rezultatet edhe në grupet e tjera. Kuptohet se do të na duhej një mrekulli ndaj Spanjës.
Një fitore e kuqezinjve, do ta kualifikonte Shqipërinë. Një barazim me Spanjën do të na çonte në kuotën e 2 pikëve, por për të qëndruar në vendin e tretë do të duhej një barazim ose fitore e Italisë përballë Kroacisë. Megjithatë me 2 pikë do të jetë shumë e vështirë për të shkuar më tej dhe vlerë do të marrë edhe golavarazhi.