Nga Andrea Danglli
Mbretëreshë Teuta, Skënderbeu, Ismail Qemali, Shote Galica dhe Adem Jashari, u gjendën në të njëjtin kazan mbeturinash: njëri i përlyer nga salca e sufllaqes e tjetri nga majoneza, njëri me çamçakëz ngjitur mbi ballë, e tjetri me një lëkurë banane mbi krye.
Në pritje të makinës së plehrave e cila dredhonte rrugicave të qytetit, kolosët e historisë nisën të kuvendonin gjerë e gjatë mbi periudhat historike ku ata përjetësuan lavdinë e tyre.
“Më kanë thurur vargje e këngë, më kanë ndërtuar muze e shtatore, më kanë shpallur ‘Hero të Kombit’ si dhe ‘Kalorës të Krishtërimit’, por askujt s’i ishte bërë mendja dhallë të më stampojë në një shishe dhalle!”, foli i pari Gjergj Kastrioti, tek përpiqej të shtynte tutje ca bishta të pashuara cigareje që i digjnin mbi fytyrë.
“Pas vdekjes së Agronit, si grua gjeta forcë të rris fuqinë politike të Mbretërisë së Ilirisë, duke i dalë ballë për ballë Romës. E mbylla jetën faqebardhë pa ditur se një ditë faqet do m’i nxinte llumi i kafesë!”, tha Teuta, e cila megjithëse tentonte të pastrohej, nuk i shpëtonte dot thesit të zi të një lokali që i ishte hedhur sipër.
“Mos kërkoni të zbuloni misterin e helmimit tim në hotelin “Brufani” në Peruxha të Italisë, ka gjëra që të helmojnë edhe së vdekuri”, foli babai i kombit Ismail Qemali, duke i kthyer kurrizin një kocke për t’i shpëtuar dhëmbëve të një qeni endacak.
“E vura pushkën krahut dhe për mbi 12 vjet dola përpara pushtuesve serbë, austro-hungarezë e bullgarë që donin të shfarosnin shqiptarët e Kosovës. Tek po më afrohet 100-vjetori i vdekjes në katundin Shullaz të Krujës, s’do kujtohem se dhashë shpirt me barkun bosh por për etjen e urinë që po shuaj këtu në kazan”, tregoi Shote Galica, e cila mbi gërshetat ikonike mbante ca makarona plot djathë.
“Serbët të vrasin me plumba kurse të marrët me marrëzitë. Kur epopeja e UÇK-së shndërrohet në epope dhalle, do të thotë që e gjithë historia shkruhet e nderohet në dybek”, tha Baca Adem, i cili ende nuk e besonte sesi nga kulla e gurit përfundoi në kazanin e drurit.
Teksa dialogu përfundoi, drejt kazanit po afrohej makina e rëndë e plehrave pas të cilës disa makina të bllokuara i binin borisë si të çartura.
Prej aty, kolosët e historisë do vijojnë dialogun në landfill nëse do të mund t’i shpëtojnë flakëve përvëluese.
E zjarri këtë herë nuk vjen nga pushtuesit e as nga grupet e kalifatit të ISIS që shkatërrojnë kulturën, por nga një tufë “shqiptarësh” të cilët nën petkun e patriotizmit, janë gati të djegin edhe veten e tyre veç për disa para më shumë.
Për ta dhalla nuk bëhet gjak, por gjaku bëhet dhallë!