Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit, që njeh si kryetar të Partisë Demokratike, Sali Berishën. Në deklaratën për mediat të SHBA, thuhet se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar për personat non grata. Ambasada këshillon edhe faktorët e tjerë politikë në vend që të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me persona të sanksionuar nga SHBA. Ky mesazh duket se i adresohet të gjithë deputetëve, që kanë zgjedhur të qëndrojnë në anën e Berishës, veçanërisht pas shprehjes së Gjykatës së Apelit.
Reagimi i SHBA
Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA.
Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara.
Më 11 Qershor Gjykata e Apelit vendosi me vendim të formës së prerë se vula dhe logo e Partisë Demokratike i takon Sali Berishës. Ky vendim i hap rrugë njohjes zyrtare të Sali Berishës si kryetar partie, ndërsa zhvesh Lulzim Bashën nga postet dhe detyrat në parti. Paertia Demokratike kaloi në një kalvar seancash gjyqësore për vulën dhe logon, me dy palët që kundërshtonin njëra-tjetrën.
Fillimisht ishte Gjykata e Shkallës së Parë ajo që njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021. Ky vendim, i cili u etiketua si ”vendimi Zhukri”, për shkak të gjyqtarit të çështjes Agron Shukri u ankimua në Apel nga grupi i Bashës. Më pas çështja kaloi në Gjykatën e Lartë, e cila e riktheu sërish çështjen në Apel duke i kërkuar kësaj të fundit të japë zgjidhje përfundimtare për çështjen. Gjatë kësaj kohe, PD ka kaluar në akuza dhe përballje të forta, madje dhe fizike mes dy palëve, që deri para 11 Qershorit njiheshin si PD zyrtare, drejtuar nga Lulzim Basha dhe Rithemelimi me kryetar Sali Berishën.