Heee kodosh thashethemesh! Re në grep dhe erdhe?!
Tani ki durim dhe lexo këto pak rreshta më poshtë:
Redaksionale
Që prej lajmit se Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj janë ndarë, ka shpërthyer një llum i paparë në rrjetet sociale ndaj këngëtares duke e sharë dhe fyer atë me fjalët më të ulëta.
Ky tërbim online ndaj Xhensilës u nxit edhe pas deklaratës së bujshme të Bes Kallakut në Ferma VIP se ai kishte më shumë se një vit që ndjehej si i huaj me Xhensilën.
Kaq mjaftoi, si edhe kënga e tij krahas përgjigjes së Xhensilës në Instagram që përdoruesit e Instagramit dhe Facebook të gjenin “fajtorin” për ndarjen!
Fundja, çfarë i duhet shqiptarit mesatar me Instagram dhe Facebook në cellular se përse u ndanë Xhensila dhe Besi? Çfarë të mirë apo të keqe sjell kjo për familjen e tij?
Po bariut të mal, punëtorit të krahut në fushë apo punonjësit/ punonjëses thashethemexheshë në zyrat e shtetit apo privatit çfarë i duhet kjo punë?!
Shqiptari nuk ka nxjerrë kaq mllef ndaj hajdutëve më të mëdhenj që kanë marrë peng këtë vend dhe nuk kursejnë të sharat dhe fyerjet ndaj një gruaje, nënë.
Shumë prej sharësve publik përmendin fëmijët. Po a i do më shumë fëmijët e Besit dhe Xhensilës vetë Besi dhe Xhensila se sa çdo parazit që vret kohën në rrjete sociale?
Marrja me jetën e tjetrit është një sport kombëtar në Shqipëri dhe mes shoqërive të dështuara si e jona.
Klima e krijuar online në lidhje me këngëtaren është e padurueshme dhe çdo njeri me mend në kokë duhet t’i thotë STOP kësaj marrëzie! /Alban Hoxha