Një punonjës “i penduar” i Micro Credit Albania ka zbërthyer të gjithë skemën e bashkëpunimit mes institucioneve mikrofinanciare dhe përmbaruesve.
Në një rrëfim për gazetën Dita, punonjësi tregon se përmbaruesit linin vulat e tyre pranë institucioneve dhe shkresat përgatiteshin nga punonjësit e mikrokredive.
Përmbaruesit paraqiteshin në zyra vetëm një herë në javë, për të marrë pagesat tek Olsi Ibro dhe Arben Meskuti, shuma që varionin nga 500 deri 700 euro në javë.
Punonjësi shprehet se kur tre përmbaruesve iu hoq licensa, hyri në lojë Rigels Bejko që merrte 30 mijë euro në muaj sepse me vulën e tij filluan të bëheshin ankande. Më pas e rriti çmimin e qirasë së vulës në 50 mijë euro pasi nisi të kalonte pronat në emër të MCA.
Punonjësi shton se Bejko mund të ketë bërë më shumë se 300 kalime pronash. Edhe një nga ekspertët, sipas punonjësit, e kishte dorëzuar “vulën” dhe ekspertimet i bënin punonjësit e institucioneve mikrofinanciare.
Një tjetër informacion është edhe fakti që në hipotekë kishte një person në drejtorinë qëndrore që kujdesej për kalimet e pronave.