Presidenti Joe Biden i ka dhënë leje Ukrainës që të godasë brenda territorit rus me municione amerikane.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka kufizuar përdorimin e tyre, në mënyrë që Kievi të mund të godasë objektivat mbi kufirin afër Kharkivit pasi Rusia bëri përparime të rëndësishme rreth qytetit në pjesën verilindore të vendit.
“Presidenti kohët e fundit udhëzoi ekipin e tij për t’u siguruar që Ukraina do të jetë në gjendje që t’i përdorë armët e furnizuara nga SHBA për qëllime kundërzjarrit në Kharkiv, në mënyrë që Ukraina të mund t’u kundërpërgjigjet forcave ruse që i godasin ose përgatiten për t’i goditur ato”, tha një nga zyrtarët për CNN.
Vendimi paraqet një ndryshim të qëndrimit të Presidentit Joe Biden, i cili deri më tani, kishte refuzuar me vendosmëri që Ukraina të përdorte armatime amerikane për të kryer sulme brenda Rusisë.
Vendimi vjen në mes të presionit ndërkombëtar në rritje nga aleatët e ngushtë të SHBA.
Por vendimi është i kufizuar në zonën përreth Kharkiv, dhe Ukraina nuk ka kërkuar leje përtej kësaj, tha zyrtari, duke shtuar se ata nuk parashikojnë që SHBA të zgjerojë zonën e lejuar.
Kievi bëri kërkesë që Uashingtoni të ndryshojë politikën e tij vetëm në javët e fundit pasi forcat ruse kanë bërë përparim, tha zyrtari.
Forcat ruse, depot e municioneve dhe qendrat logjistike tani mund të shënjestrohen me artileri dhe raketa të ofruara nga SHBA përtej kufirit nga Kharkiv-i në Rusinë perëndimore.