Meksika ka ekstraduar në Shtetet e Bashkuara një personazh të lartë të kartelit të drogës Sinaloa. Prokurorët pretendojnë se Nestor Isidro Perez Salas – i njohur si El Nini, ose Slacker – ishte një “vrasës kryesor” që punonte për djemtë e mbretit të drogës Joaquin Guzman, i njohur si El Chapo.
Zyrtarët amerikanë kishin ofruar një shpërblim prej 3 milion dollarësh (2.4 milion £) për informacionin që të çonte në kapjen e tij. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland pretendon se El Nini ishte pjesë e prodhimit dhe shitjes së fentanylit nga karteli Sinola, një opioid sintetik vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara.
Duke folur pas ekstradimit të shtunën, Garland pretendoi se El Nini ishte një nga sicariot (vrasësit) e kartelit.
“El Nini ishte përgjegjës për vrasjen, torturimin dhe rrëmbimin e rivalëve dhe dëshmitarëve që kërcënuan ndërmarrjen kriminale të kartelit të trafikut të drogës,” tha zoti Garland.
Ai u ndalua në bastionin e organizatës në Culiacán, kryeqyteti i Sinaloas, nga ku ka marrë dhe emrin karteli.
Arrestimi është pjesë e një përpjekjeje të autoriteteve amerikane dhe meksikane për të frenuar rrjedhën e fentanilit përtej kufirit Meksiko-SHBA. Droga kontribuon në vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve në SHBA çdo vit.
Perez është një nga ekstradimet e profilit më të lartë që ka ndodhur nën presidentin meksikan Andrés Manuel López Obrador, i cili është zotuar të “arrijë paqen dhe t’i japë fund luftës për drogës” .
Sipas Administratës Amerikane të Zbatimit të Drogës, tre nga djemtë e El Chapo – Ovidio Guzman Lopez dhe gjysmë vëllezërit e tij Ivan Archivaldo dhe Jesus Alfredo Guzman Salazar – ishin udhëheqës të një perandorie trafikimi të miliona dozave të fentanilit në SHBA.
López, pseudonimi i të cilit është Miu, u ekstradua në SHBA në shtator me akuzat për trafik droge dhe pastrim parash, për të cilat ai u deklarua i pafajshëm. Dy nga vëllezërit e tjerë janë në kërkim.