Ka nisur zbardhja e ngjarjeve kriminale për të cilat, SPAK të premten nisi një prej aksioneve më të mëdha për goditjen e 7 grupeve kriminale që operonin në vendin tonë. Gazetari Elton Qyno ka shkuruar për “Ora News” se tre ishin personat që nëntorin e vitit 2020 kishin marrë përsipër detyrën për të eliminiuar Durim Bamit. Ky i fundit konsiderohet si një nga personazhet më me influencë në zonën e Fushë Krujës, bashkë me të vëllanë e tij Valterin. Herën e fundit që u përmend ishte kur u mor në pyetje pas vrasjes së Gentijan Bejtjas në Larshukë të Fushë Krujës, pak kohë më parë.
Në dosjen e SPAK, tre personat e veshur si policë nga Ervis Martinaj, për të vrarë Durim Bamin janë: Marklen Haka, Albert Zaja dhe Hektor (Tori) Xheçuka.
Por pjesë e grupit u bë edhe Florenc Kelmendi, i cili njihet edhe nofkën “Toçi”, ndërsa po sipas dosjes së SPAK, një nga personazhet e angazhuar për eliminimin e Bamit ishte edhe Emiljano Shullazin, i cili aktualisht është pas hekurave të burgut.
Për të vrarë Durim Bamin, sipas SPAK ishin përfshirë edhe: Jozi Kraja, Astrit Avdyli, Aldo Avdyli, Blerim Abazi, Elvis Ndreca por edhe Nazmi Stafuka, vëllai i Enver Stafukës. i cili ka dyshuar gjithnjë se Durim Bami ka marrë pjesë në vrasjen e dhe zhdukjen e Stafukës. Familja e të zhdukurit gjithmonë në çdo deklaratë publike ka dalë dhe ka përmendur emrin e Durim Bamit, si të dyshuar kryesor në zhdukjen e fëmiljarit të tyre. Por edhe pse vite kanë kaluar, ajo ngjarje nuk është zbardhur ende nga drejtësia.
Kështu ndodhi edhe atentati, të cilit Bami i shpëtoi, edhe pse në “Range-in” që ai drejtonte u futën 6 predha kallashnikovi, ku njëra prej tyre ka plagosur në krahun e djathtë djalin e hallës së Bamit, Ervin Kodrën. Ndaj të gjithë të lartpërmendurve janë ngritur 3 akuza penale, ajo e “vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “grup Kriminal” dhe “armëmbajtje pa leje”. Në rastin e Shullazit qëndron vetëm akuza e parë dhe tjetra ka të bëjë me futjen e sendeve të palejuara në ambientet e burgut “313”.
Megjithatë kjo nuk është e vetmja ngjarje që përmendet emri i tij. Në dosje për të ka edhe një akuzë për dhunimin e bashkëshortit të gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda (tashmë nuk ekziston më si degë e drejtësisë), Saida Dollani. Për dhunimin e bashkëshortit të Dollanit ishte angazhuar Fabio Ballabani, i njohur edhe me dy emra të tjerë Fabio Zyberaj dhe Ivi Zyberaj.
Gazetari Elton Qyno shkruan gjithashtu se Albert Zaja, Edison Muceku, Tori Xheçuka, Florenc Kelmendi dhe Ardit Gjokrosa kanë kryer veprime për të siguruar kushtet dhe mjetet me qëllim vrasjen e shtetasit, Hamza Tërziu. Por duket se tashmë i zhdukurit Ervis Martinaj nuk kishte për qëllim të ekzekutonte vetëm Bamin, por edhe kundërshtarë të tjerë. Në listën e tij ishte edhe Leonard Duka, Fatmir Hyseni, Elvis Gaçak, Altin Gegaj por edhe shumë të tjerë. Megjithatë për të përmendurit, sipas SPAK ka kontraktuar me Gjergj Cukalin. Për Fatmir Hysenin, e njohur ndryshe edhe si Doqja, Martinaj kërkoi bashkëpunimin e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Në “ndihmë” të dyve u ka ardhur edhe Viktor Imeri, i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim.