Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi ka humbur jetën bashkë me ministrin e jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian pas rrëzimit të helikopterit me të cilin ata po udhëtonin.
Mbetjet e djegura të helikopterit që u rrëzua të dielën me Raisin dhe ministrin e Jashtëm, u gjetën herët të hënën pas një kërkimi gjatë natës në kushte stuhie.
“Presidenti Raisi, ministri i jashtëm dhe të gjithë pasagjerët në helikopter u vranë në përplasje”, tha një zyrtar i lartë iranian për Reuters, duke kërkuar të mos përmendet emri për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Vdekja e Raisit u konfirmua më vonë në një deklaratë në mediat sociale nga nënpresidenti Mohsen Mansouri dhe në televizionin shtetëror. Televizioni shtetëror raportoi se imazhet nga vendi treguan se avioni u përplas në një majë mali, megjithëse nuk kishte asnjë fjalë zyrtare për shkakun e rrëzimit.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA tha se Raisi po fluturonte me një helikopter Bell 212 të prodhuar në SHBA.
Pamjet me dron tregojnë rrënojat e helikopterit të Presidentit Raisi. Në videon e publikuar nga Gjysmëhëna e Kuqe, shihet bishti i helikopterit pranë një pjese toke të djegur në një kodër.
Ekipet e shpëtimit deklaruan se nga aksidenti nuk ka pasur asnjë të mbijetuar.
Raisi, 63 vjeç, u zgjodh president në vitin 2021 dhe që kur mori detyrën ka urdhëruar një shtrëngim të ligjeve të moralit, ka mbikëqyrur një goditje të përgjakshme të protestave antiqeveritare dhe ka shtyrë fort në bisedimet bërthamore me fuqitë botërore.
Me konfirmimin e vdekjes së Raisit, drejtimin e vendit do të marrë Mohammad Mohbar dhe zgjedhjet do të mbahen brenda 50 ditëve. Por pas vitesh protesta kundër qeverisë dhe pas vdekjes së Makhsa Amini në 2022, ky mund të jetë një moment që lëvizja të sjellë ndryshimin e pushtetit.
Ka gjithashtu shumë grupe disidente në Iran, duke përfshirë një degë të Shtetit Islamik, të cilët do të kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë.
Raisi u bë president në vitin 2021 me pjesëmarrjë në votime të vetëm 41% të atyre që kishin të drejtë për të votuar, duke shënuar shifrën më të ulët që nga revolucioni i vitit 1979. Megjithatë, pasuesi i tij ka të ngjarë të jetë kandidati i zgjedhur i liderit suprem dhe sigurisht një tjetër ekstremist ultra-konservator.
Mirëpo në planin afatgjatë, vdekja e Raisit do të kishte pasoja për liderin suprem.