![](https://gazetakorrieri.com/wp-content/uploads/2024/05/900-0-1716189783xebrahim-683.webp)
Qeveria iraniane ka konfirmuar vdekjen e presidentit të vendit Ebrahim Raisi, në një aksident ajror, ndërsa bashkë me të ka humbur jetën ministri i jashtëm, si dhe 7 anëtarë të tjerë të ekuipazhit.
Media shtetërore iraniane Press TV dhe agjencitë gjysmë zyrtare të lajmeve Tasnim dhe Mehr raportuan se të gjithë personat në bord mbetën të vdekur, dhe asnjë nuk mundi të mbijetonte, pas rrëzimit të avionit, i cili u gjet i shkatërruar.
“Presidenti Raisi, ministri i Jashtëm dhe të gjithë pasagjerët në helikopter u vranë në përplasje”, tha zyrtari i qeverisë për Reuters, duke kërkuar të mos përmendet emri për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe të Iranit, Pir-Hossein Kolivand, tha më herët të hënën se nuk kishte shenja jete të atyre që udhëtonin në bordin e helikopterit.
Helikopteri me nëntë persona u përball me kushte të vështira të motit, teksa kthehej nga një udhëtim në kufirin mes Iranit dhe Azerbajxhanit, thanë zyrtarët iranianë të dielën.
Përplasja shkaktoi një operacion kërkim-shpëtimi prej disa orësh me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Turqisë, ndër të tjera, por ekuipazhet e emergjencës u penguan nga mjegulla dhe temperaturat në rënie.
Moti do të kishte luajtur një rol kyç në rrëzimin e helikopterit, thotë analisti ushtarak Cedric Laighton.
“Moti ka luajtur një rol kyç në rrëzimin e helikopterit që vrau presidentin Raisi”, tha analisti ushtarak i CNN, Leighton.
“Ju keni mjegull, keni shi, keni temperatura të ftohta. Me temperatura nën 10 gradë Celsius ekziston mundësia në lartësi më të larta të ngrirjes së tehut të rotorit,” tha ai.
“Ka një mundësi të dështimit potencial të motorit, kështu që ka shumë gjëra që mund të kenë ndikuar në rrëzimin e helikopterit”, shtoi më tej eksperti.
Leighton shtoi se mirëmbajtja e avionit mund të ketë luajtur gjithashtu një rol, duke treguar se si Irani ka jetuar nën sanksione dhe ka përdorur pajisje të vjetra për të transportuar udhëheqësit e tyre të nivelit të lartë.