Gjatë ditës së sotme është planifikuar t’u komunikohet masa e sigurisë personave të arrestuar gjatë megaoperacionit të SPAK. Bëhet fjalë për rreth 14 të arrestuar në Shqipëri, masa për të cilët u ekzekutua nga ana e policisë.
Seanca gjyqësore nisi rreth orës 10:00, por u shty për shkak të kërkesës së avokatëve mbrojtës. Ata kërkuan nga trupa gjykuese shtyrjen deri në orën 13:00 për t’u njohur me aktet gjyqësore dhe dosjen hetimore.
Kujtojmë se si pasojë e dosjes që njihet si “Metamorfoza 2” u goditën 7 grupe kriminale. Jashtë Shqipërisë janë arrestuar 6 persona, ndërsa 30 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Nga ky hetim u zbuluan aleancat mes grupeve për të goditur njëri-tjetrin. Urdhër-arrestet u nxorrën për personazhe të njohur të botës së krimit dhe në to përfshihej edhe ish-deputeti Arben Ndoka dhe 4 zyrtarë policorë.
Autoritetet sekuestruan shuma të mëdha parash cash, flori, bizhuteri e makina të blinduara, vlera e të cilave shkon në rreth 3 milionë euro. Falë këtij hetimi, SPAK ka zbardhur gjithashtu një sërë ngjarjesh kriminale dhe vrasje të bujshme që kanë ndodhur disa vite më parë.