SPAK i sekuestron pasuritë, Adem Metkola po ndërtonte hotel në Durrës, roli i bashkëshortes Arjana Xhika
Personi që shihni në foton e mësipërme është biznesmeni i ndërtimit Adem Metkola, i cili është vënë nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, pasi dyshohet për pastrim parash. Ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës vendosi sekuestro preventive ndaj pasurive të Metkolës dhe ish-bashkëshortes së tij, Arjana Xhika.
Më konkretisht iu sekuestruan 5 sipërfaqe tokësore (2 troje dhe 3 ara), 7 makina, si dhe llogaritë bankare të tij dhe të bashkëshortes së tij.
Adem Metkola është pronar i kompanisë së ndërtimi“Metkola”, e themeluar në shtator të vitit 2023. Ndërsa, administratore e kësaj kompanie është ish-bashkëshortja e Metkolës, Arjana Xhika.
Prokuroria e Tiranës raportonte në njoftimin e saj se nga hetimet ka rezultuar që në llogaritë e Adem Metkolës dhe ish-bashkëshortes së tij, Arjana Xhikës, në bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë për periudhat 2007-2008, 2015-2016 dhe 2020-2023, kanë mbërritur disa transferta në vlera të konsiderueshme. Dërgesat janë bërë nga shteti anglez dhe dërgues kanë qenë shtetas të huaj, ku midis tyre dhe përfituesve nuk provohet asnjë lidhje. Transfertat bankare në llogaritë e tyre janë bërë pa përshkrim veprimi.
Sipas Prokurorisë, Adem Metkola ka deklaruar se shumat e depozituara në llogarinë e tij kanë qenë kapar për blerjen e një pasurie të paluajtshme në Durrës, e cila do të përdorej për të ndërtuar një resort turistik ku të dy do ta kishin në bashkëpronësi.
Burime për mediat bëjn me dije se biznesmeni Adem Metkola dhe shtetasja britanike Carolyn Patricia Perry, kanë marë leje për ndërtimin e një hoteli në zonën e Currilave në qytetin e Durrësit. Pra, shtetasja britanike jo vetëm që iu ka dërguar para Adem Metkolës dhe ish-bashkëshortes së tij Arjana Xhikës në llogaritë e tyre bankare, por gjithashtu ka blerë edhe pasuri në bashkëpronësi me të me vlera të konsiderueshme.
Në transfertën e kryer për blerjen e pasurisë truall, Adem Metkola ka deklaruar se të ardhurat kanë qenë kursime familjare të përftuara si pasojë e emigrimit.
Ndërkohë, sipas Prokurorisë së Tiranës rezulton se Adem Metkola është deportuar nga Britania e Madhe në vitin 2007 dhe këto para nuk i ka qarkulluar më parë në sistemin bankar, pavarësisht se ka rreth 20 vite që është kthyer nga Anglia.
Prokuroria e Tiranës deklaron se ekzistojnë indicie dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se Adem Metkola në bashkëpunim me ish-bashkëshorten e tij, Arjana Xhika kanë konsumuar veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në skemë është e përfshirë dhe shtetasja britanike Carolyn Patricia Perry.
Pasuritë ndaj të cilave u vendos sekuestro preventive janë:
- Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 363 m2 në Kamëz;
- Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 237 m2 në Kamëz;
- Pasuria e llojit “Arë” me sip. totale 649 m2;
- Pasuria e llojit “Truall” me sip. Totale 1,000 m2;
- Pasuria e llojit “Truall” me sip. Totale 1,000 m2.
- Llogaritë bankare të shtetasit Adem Metkola
- Llogaritë bankare të shtetases Arjana Xhika
Si dhe 7 automjetet e Adem Metkolajt:
- “Smart Micro Compact”;
- “Hummer H2”;
- “Suzuki Swift”,
- “Mazda 2500”;
- “BMW X6 Xdrive” 35D;
- “Mercedes Benz ML”,
- “Range Rover Evoque”.
Ndërkohë, në zgjedhjet bashkiake të 14 Majit të vitit 2023, Adem Metkola ka kandiduar për anëtar të këshillit bashkiak në Kamëz nën siglën e Partisë Republikane.