Erdgys Arrazi nuk ka pranuar të flasë para gjykatës. Ai është shprehur se është në gjendje shumë të rënduar dhe nuk mundet të flasë. Deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes, i riu është lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Pala mbrojtëse ka kërkuar në gjykatë ndalimin e paligjshëm, pasi ky shtetas nuk paraqet rrezikshmëri dhe nuk përbën asnjë të dhënë për t’u larguar nga vendi.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës ka paraqitur në gjykatë dokumentin mjekoligjor ku Alma Arrazi kishte probleme psikologjike. Prokuroria ka depozituar dosjen me akuzën për shkaktim të vetëvrasjes.
Alma Arrazi u hodh në lumë bashkë me fëmijët e saj më 2 maj. Deri më tani ishin gjetur trupat e dy vajzave, më e madhja u përcoll dje në banesën e fundit, ndërsa sot pritet që të mbahet varrimi i vajzës së tyre. Kërkimet vijojnë në lumin Buna për trupin e nënës Alma Arrazi, ndërsa i shoqi i saj, Erdgys Arrazi është vendosur në pranga. Kjo pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë në familje, gjë që ka shtyrë 39-vjeçaren drejt aktit të vetëflijimit. Por deri më tani, 31-vjeçari ka mohuar të gjitha akuzat duke u mbrojtur me pretendimin se e shoqja vuante nga probleme të shëndetit mendor.