31 vjeçari Ergys Arazi, i cili është arrestuar si shkaktar i vetëvrasjes së bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tij, nuk e ka pranuar se ka dhunuar bashkëshorten e tij apo fëmijët.
Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, Arazi është parë në qendër të qytetit të Shkodrës, duke qëndruar nën shoqërinë e miqve në lokal, i pashqetësuar.
Jashtë kamerave, miqtë e tij, deklarojnë se ai nuk ka shfaqur asnjë lloj shqetësimi, madje është dukur krejtësisht i qetë.
I ndaluari i ka qëndruar deklaratës së tij të tre ditëve më parë duke thënë se ka humbur kontaktet me bashkëshorten dhe fëmijët pa patur idenë se ku ndodheshin. Arazi është shprehur se ka patur një marrëdhënie normale me bashkëshorten dhe fëmijët duke thënë se nuk e kam idenë përse bashkëshortja ka ndërmarrë këtë veprim.
Arazi nuk ka pranuar asnjë prej dy veprave penale që rëndojnë mbi të “dhunë në familje” dhe “shkaktim i vetëvrasjes” duke deklaruar se nuk është ai shkaktari i kësaj ngjarje të rëndë. Po ashtu dyshohet se motra e viktimës me datën 2 maj është takuar duke konsumuar një kafe me Ergys Arazin dhe kanë zhvilluar një bisedë e cila dyshohet se lidhet me problemet e fundit të ndodhura në familjen Arazi. Motra e viktimës ka deklaruar pas ngjarjes së kunati i saj ka ushtruar dhunë në familje psikologjike dhe fizike gjë e cila sipas saj ka detyruar të motrën të ndërmarrë veprimin e rëndë.