Rreth 80 të ftuar në një dasmë në Meksikë u desh që të dërgoheshin me urgjencë në spital me simptoma të helmimit nga ushqimi. Daily Mail ka nxjerrë pamjet në sallën e pritjes, që i ngjan më shumë një filmi horror. Në një intervistë për mediat lokale, një e ftuar nga ana e dhëndrit tregoi se çfarë ushqimi kishte konsumuar ajo dhe të pranishmit e tjerë, duke komentuar përvojën e saj traumatike.
Aranza Rodríguez mbërriti relativisht vonë, rreth orës 20:00, kohë kur vuri re se shumë nga të ftuarit tashmë kishin filluar të ndiheshin keq, por nuk u kushtoi shumë vëmendje dhe kërkoi edhe ushqimin e saj. Për këtë kërkesë u pendua.
Rodriguez tregoi se si meze kishte kërpudha të egra, djathë dhie dhe domate. Një tjetër opsion mezeje ishte karpaçoja me panxhar dhe mango, ndërsa pjata kryesore përfshinte gjoks pule me spinaq, pure patatesh të ëmbla dhe shparguj. Por pjata kryesore për meshkujt, ndryshonte nga ajo për femra, pasi ata kishin mish viçi me salcë uiski. Megjithatë të gjithë përfunduan në spital.
Gruaja tha se nuk e di se cila pjatë e shkaktoi infeksionin bakterial që e solli në spital, por kujton se kërpudhat e egra në meze i lanë një shije metalike në gojë. Kështu që edhe ajo si të ftuarit e tjerë përfunoi në spital me të përziera, dhimbje koke, diarre dhe dhimbje të forta stomaku.
Edhe pse ngjarja është bërë virale, “Grupo Paraíso”, kompania e hotelierisë për dasmën, nuk pranoi të komentojë për Daily Mail.