INVESTIGIMI/ Dosja “5D”, dalin në skenë Fatbardh Meça dhe Indrit Zeqa , pse u shmang hetimi për I.B Recycling ?
Të dhëna rrëqethëse kanë dalë mbrëmjen e sotme në media mbi një aferë korruptive që bën bashkë bandën e inceneratorëve, atë “5D” në Bashkinë e Tiranës si edhe të afërm të Redi Mollës. Këta të fundit janë në lidhje me biznesmenët Fatbardh Meça dhe Indrit Zeqa. Siç zbulon Gazeta Korrieri, Zeqa nuk është vetëm në biznesin e riciklimit por edhe në atë të shitjes së floririt me lidhje të dyshimta me disa vende arabe dhe aktivitetin në Shqipëri për raportin mes kompanive të tij për të cilat do të raportojnë në vijim.
Ndërkohë, siç raporton emisioni “Plug”,prokuroria e shmangu nga hetimet pikërisht njërën prej kompanive që riciklonte mbetjet në Sharrë, pas së cilës dyshohet se fishej pikërisht pronari faktik i kompanisë “5 D” Redi Molla. Bëhet fjalë për kompaninë “I.B Recycling”, tani në pronësi të biznesmenit Zeqa, ndërkohë që përmes disa manovrave të dyshimta iu shit këtij të fundit nga Fatbardh Meça me një çmim qesharak, ndërkohë që kompania bënte fitime të mira.
Pyetjet që do të marrin përgjigje në këtë rast janë:
-Pse u shmang nga hetimi kompania “I.B Recycling”?
-Cilat janë lidhjet brenda dhe jashtë vendit e Meçes dhe Zeqës, administratorit dhe pronarit të kompanisë?
-Çfarë fshihet pas transaksioneve qe kërkojnë verifikim, mes dy kompanive në Shqipëri dhe një tjetre në vendet arabe?
-A ka lidhje riciklimi, ndryshimi i objektit të veprimtarisë në QKB e kompanisë I.B Recycling me kompaninë tjetër që tregton ar dhe argjend?
Investigimi i emisionit “Plug”
Erion Veliaj mori detyrën e Kryetarit të Bashkisë Tiranë në korrik 2015. Faktet që do ju përcjellim më poshtë dëshmojnë se ai kishte filluar të mendonte për aferën e mbetjeve shumë kohë më parë.
Sot Plug do të tregojë që Erion Veliaj është filli i kuq që lidh korrupsionin me biznesin e riciklimit të mbetjeve, vrasjen e Ardit Gjoklajt, inceneratorin e Tiranës dhe kompaninë ‘5 D Konstruksion’.
Sapo shkeli në Zyrë, Erion Veliaj emëroi edhe drejtorët e drejtorive, REdi Molla, Mariglen Qato, Taulant Tusha sot të gjithë në qeli.
Në datën 15 dhjetor të vitit 2015 firmoset aktmarrëveshja e bashkëpunimit midis Bashkisë Tiranë dhe kompanive I.B.Recycling me administrator Fatbardh Meça dhe 3.R shpk, e cila është në pronësi të shtetasit Edurim Teqja.
Sipas Nenit 1. Të Kontratës, objekti i saj përcaktonte:
KONTRATA
Palët bien dakord për këtë akt-marrëveshje me objekt: Mbi punësimin e individëve që mbledhin materiale të riciklueshme nëpër qytet dhe seleksionimin e këtyre materialeve para e të futen në zonën e asgjësimit të tyre. palët bien dakord që operatori riciklues të punësojë sipas ligjit në fuqi, punonjës që mbledhin materiale të riciklueshme, të parrezikshme, që depozitohen brenda landfilllit të Sharrës, por para se të mbërrijnë në zonën e asgjësimit.
Në një nga klauzolat e kontratës, në pikën 2.1/7 të Nenit 2, përcaktohej gjithashtu edhe autoriteti që do miratonte vendin ku do të bëhej seleksionimi.
KONTRATA
Sipas kësaj pike, Drejtoria e Përgjithshme Nr.1, të Punëtorëve të Qytetit, është autoriteti i vetëm që miraton vendin në landfillin ku do të bëhet seleksionimi i mbetjeve të riciklueshme.
Këto dy pika të kontratës të sipërcituara, tregojnë se Bashkia e Tiranës, ishte përgjegjëse jo vetëm për punësimin e personave që do të mblidhnin mbetjet e riciklueshme, por njëkohësisht përcaktonin edhe zonën se ku kompanitë private do të kryenin aktivitetin e tyre.
Centralizimi i biznesit të riciklimit la pa punë qindra familje, kryesisht nga komuniteti Rom. Në të njëjtën ditë që Erion Veliaj vizitonte biznesin e tij të riciklimit në Sharrë, në 16 mars 2016, dhjetëra pjesëtar të komunitet Rom protestonin në Sharrë duke kërkuar që të vijojni të mblidhnin mbetje të riciklueshme privatisht dhe jo nën urdhërat dhe për llogari të Erion Veliajt.
Pak muaj pasi nisi biznesi fitimprurës i riciklimit të mbetjeve, në landfillin e Sharrës regjistrohet vrasja e Ardit Gjoklaj. Në 7 gusht 2016, gjendet i pajetë 17-vjeçari. Sipas dëshmisë së familjarëve, 17 vjeçari ishte punësuar në impiantin e seleksionimit të mbetjeve të kompanisë ‘3R’ shpk në Sharrë, me shpresën se do të mblidhte paratë e nevojshme për të blerë librat e shkollës, pa rënduar familjen që mbahej vetëm me rrogën e kryefamiljarit.
Pas ngjarjes, katër punonjës të kompanisë ‘3R’ u arrestuan dhe u shpall formalisht në kërkim administratori Edurim Teqja. Sipas hetimeve të policisë, Ardit Gjoklaj ishte punonjës sezonal, i paregjistruar në kompaninë ‘3R’ shpk dhe që mbeti i vdekur si pasojë e goditjes aksidentale nga një ekskavator, në mungesë të kushteve të sigurisë në punë.
Për vrasjen e Ardit Gjoklajt, u morën vetëm dy persona të pandehur. Ata janë Dëfrim Hakrama dhe Edmond Kollari, të cilët në atë kohë u akuzuan nga Prokuroria si personat përgjegjës për ngjarjen tragjike.
Në 19 prill 2018, të dy këta shtetas, u liruan nga gjykata e Tiranës, duke u shpallur të pafajshëm.
Ky krim pa autor, nuk e ndali biznesin fitimprurës të plehrave në landfillin e Sharrës, me firmën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Ende pa u mbyllur plaga e tragjedisë së Ardit Gjoklajt, në 22 shkurt 2017 në qendrën kombëtare të biznesit shoqëria ‘MEG Albania’ me pronar Vladimir Fezgon, regjistron adresën dytësore në Landfillin e Sharrës.
Nga të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, rezulton se shoqëria ‘MEG Albania’ u pajis me leje mjedisi për të kryer riciklimin e mbetjeve urbane në landfilin e Sharrës, vetëm dy muaj pasi kjo kompani kishte nisur punën.
Gazetarja investigative Lindita Çela, ka kryer disa investigime për këtë aferë , duke faktuar se kompania MEG Albania, përftoi investimin e kryer nga kompania 3R duke trashëguar dhe pjesën më të madhe të stafit.
Nga bilancet e kompanisë MEG ALBANIA nuk rezulton që ajo të ketë blerë impiantin e riciklimit të mbetjeve urbane në Sharrë.
Në studimin e fizibilitetit, që kjo kompani ka depozituar pranë Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për të përfituar lejen mjedisore, faktohet se bëhet fjalë për të njëjtin vend dhe investim, kryer më herët nga dy kompanitë e tjera 3R shpk dhe I.B Recycling.
Plug i është drejtuar me një kërkesë kompanisë 3R në rrugë elektronike ku kërkon përgjigje për disa pyetje, por kjo kompani deri në transmetimin e këtij emisioni ende nuk është përgjigjur.
Sipas legjislacionit në fuqi gjatë aplikimit për leje mjedisore, kompania duhet të deklarojë pronësinë mbi token ku do ushtrojë aktivitet.
Në studimin që MEG Albania paraqiti në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, për lejen mjedisore të riciklimit të mbetjeve, deklaron se kjo shoqëri ka marrë tokën në përdorim nga bashkia e Tiranës.
MEG Albania
Toka ne te cilën është instaluar impianti ndodhet ne pike strategjike pasi është larg zonës se banuar lehtësisht e aksesueshme nga automjetet dhe trualli është i rrafshet. Kjo sipërfaqe toke i është dhënë ne përdorim Shoqërisë ‘Meg-Albania’ sh.p.k nga Bashkia e Tiranes.
Gazetarja Lindita Çela, në lidhje me këtë pretendim të kompanisë ju drejtua Bashkisë Tiranë. Në përgjigjen zyrtare Bashkia Tiranë mohon të ketë patur marrëdhënie juridike për tokën me këtë kompani.
Bazuar në nenin 54. shkronja ‘e’ e ligjit nr.139/2015, datë 17.12.2017 ‘Për vetëqeverisjen vendore’ përcaktohet se: Këshilli Bashkiak miraton tjetërsimin dhe dhënien në përdorim pronave të tretëve. Nga kontrolli në faqen zyrtare të Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë vendim të tillë.
Bashkia e Tiranës nuk kishte e nuk ka asnjë tagër për të dhënë në përdorim pronën publike në palë të treta, e për këtë ishte e qartë në përgjigjen për Lindita Çelën.
Dhe pse u informua nga gazetarët dhe pse u informua nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Erion Veliaj nuk ndërmori asnjë masë dhe lejoi biznesin e tij të vazhdonte qetësisht punën.
Vladimir Fezga dhe kompania e tij Meg Albania, që përfituan nga Veliaj kontratën për riciklimin e mbetjeve në Sharrë nuk ishte një emër i panjohur për të.
Sipas dokumenteve tashmë të bëra publike Vladimir Fezga ka përfituar nga kompania AMIA Verona një pagesë 33.000 euro për negociatat me Autoritetet Shqiptare.
Kontrata dhe specifika e shërbimit të kryer
Për këtë qëllim u identifikua shoqëria MEG Albania shpk, me seli në Këlcyrë, e njohur tashmë nga kompani si korrenspodente e MEG srl Verona, e cila deri më tani ka ndjkur formalisht evoluimin e negociatave me autoiretet shqiptare, duke bashkëpunuar aktivisht në terren me përfaqësuesit e AMIA-s për të arritur objektivat e sipërpërmedura. Detyrat e Vladimir Fezgaj në Shqipëri ishin:
Të mbështesë funksionet dhe detyrat për të promovuar aktivitet e AMIA-s në Republikën e Shqipërisë për arritjen e objektivave në fushën e investimeve në sektorin e mjedisit.
Të ofrojë asistencë profesionale për nevojat e përkthimit të teksteve të shkruara dhe shërbimeve të interpretimit gjatë takimeve dhe konferencave.
Të organizojë konferenca shtypi në territorin Italian dhe shqiptar, në bashkëpunim për studimet e fizibilitetit.
Konsulencë në faza të ndryshme të negociatave dhe në përcaktimin e çdo kontrate duke parë formularin shoqërues të porosisë.
Në datën 22.06.2016 themelohet kompania ECO Tirana, me aksioner 51% Bashkinë e Tiranës dhe 49% AGSM Holding në pronësi të AMIA Verona.
Akti i Themelimit të Eco Tirana është firmosur nga Erion Veliaj.
Negociatat e ndjekura nga Vladimir Fezga tashmë rezultuan të suksesshme dhe Autoriteti Shqiptar i cituar në dokumentin zyrtar të AMIA Verona ishte Bashkia Tiranë nën drejtimin e Erion Veliaj.
Kompania, që ndërmjetësoi Fezga për biznesin e plehrave me Erion Veliaj, AMIA Verona, u akuzua në Itali se ka pastruar para për klanin mafioz, Nadrgheta.
Erion Veliaj është takuar disa herë me kryebashkiakun e Veronës, Flavio Tosi, i cili gjithashtu u akuzua për të njëjtën çështje.
Pas themelimit të Eco Tirana për administrimin e mbetjeve, Erion Veliaj i duhej te themelonte kompaninë që do administronte biznesin e Riciklimit.
Një vit më pas në datën 12.07.2017 themelohet Eco Recyclin me aksioner 51% Eco Tirana dhe 49% MEG ALBANIA.
Erion Veliaj vendosi të shpërblejë Vladimir Fezga për negociatat e suksesshme për biznesin e mbetjeve.
Tashmë Vladimir Fezga menaxhonte impiantin e riciklimit në Sharrë dhe ishte prestanomi i Veliajt në shoqërinë Eco Recycling.
Në gusht të vitit 2017 firmoset kontrata koncensionare për eskluzivitetin e trajtimit të mbetjeve në Qarkun e Tiranës për 30 vite.
Në këtë kontratë koncensionare, Erion Veliaj ka kryer të paktën dy shkelje flagrante:
Duke mos marrë miratimin e Këshillit Bashkiak për dhënien e garancive financiare për 30 vjet;
Duke mos marrë miratimin e këshillit bashkiak për tokën, detyrim ligjor ky, që siç e përmendëm më sipër, bashkia e Tiranës e kishte të qartë edhe kur nisi biznesin e riciklimit të mbetjeve.
Kontrata bëhet efektive në shkurt 2018 dhe Integrated Energy BV SPV merr në dorëzim të gjithë landfillin e sharrës.
Në këtë moment si çdo prestanome Vladimir Fezga bëhet i panevojshëm.
Meg Albania mbyll adresën dytësore në Sharrë dhe shet aksionet qe zotëronte në kompaninë Eco Recycling.
Sipas kontratës së depozituar në QKB në datë 13.02.2018 Integrated Energy BV SPV kompania e inceneratori të Tiranës, blen aksionet e Meg Albania.
Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto duhet t`i paguanin rreth 80 mijë euro Vladimir Fezgës për blerjen e aksioneve të shoqërisë Eco Recycling. Por duket se pagesat nuk u kryen kurrë. Këtë e konfirmon një email, që Plug e disponon dhe publikon ekskluzivisht, i cili kompromenton dhe më shumë situatën.
Në 29 janar 2019 Denisa Tollkuçi i përcjell Klodian Zotos një email të cilin e kishte dërguar Vladimir Fezgaj. Në email shtetasi Italian Alessandro Berti, i kujton Vladimir Fezgës se duhet të paguante detyrimin 300 mijë euro, në të kundërt rrezikonte të humbiste asetet personale.
Emaili i Alessandro Berti
Përshëndetje Vladimir, si jeni?
A ishte gjithçka në rregull në udhëtimin tuja në Shqipëri javën e kaluar? Po ju shqetësoj të kërkoni përditësim për situatën tuaj financiare, duke marrë parasysh udhëtimin tuaj dhe kontaktet që keni pasur. Dje në mëngjes u kontaktova nga DR. Kadura nga Banca Intesa, të cilin më pas e takova pasdite. Tani situate është bërë e paqëndrueshme. Banka më kujtoi se kredia e përkohshme e kërkuar për të mbuluar overdraftin skadoi më 31.12.2018 dhe se pozicioni tani do të klasifikohet si jo funksional deri në fund të javës i nënshtrohet pagesës prej të paktën 300 mijë euro siç keni premtuar në atë kohë dhe që tashmë ka skaduar. Me kalimin në jo funksional, tashmë i pashmangshëm, banka do të aktivizojë gjithashtu të gjitha procedurat për rikuperimin e detyruar të kredisë edhe ndaj jush, me gjithçka që kjo nënkupton edhe shqetësime për pronat tuaja të paluajtshme.
Ky email, fakton se shitja e aksioneve të Eco Recycling nga Fezga te Integrated Energy Bv SPB është bërë në mirëbesim dhe Klodian Zoto nuk ka shlyer detyrimet financiare.
Por veprimet që ka kryer Bashkia e Tiranës për shitjen e aksioneve të Eco Recycling bëhet dhe më inkriminuese pak muaj më vonë.
Në datën 27 shtator 2019, pranë noteres Anila Gjermeni Eco Tirana me ortak mazhoritar Bashkinë Tiranë , shet pjesën takueseve të aksioneve të shoqërisë ‘Eco Recycling’ në favor të kompanisë Integrated Energy Bv Spv.
Sipas të dhënave të kontratës, të cilën Plug e disponon ekskluzivisht, rezulton se kompania Integrated Energy BV SPV, do duhet ti paguante kompanisë Eco Tirana shumën prej 410.000 euro.
Edhe për këto aksione kompania Integrated Energy BV SPV njësoj si me kompaninë Meg Albania nuk paguan detyrimet e përcaktuara në kontratë.
Në datën 30.03.2020 Administratori i Eco Tirana Diego Testi i drejtohet kompanisë Integrated Energy duke i rikujtuar pagesat e munguara.
Por skandali për të cilën do të duhet të përgjigjet Bashkia Tiranë është fakti se kjo kontratë e shit-blerjes së aksioneve, nuk u depozitua kurrë në QKB.
Nga një vëzhgim në Qëndrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se aktualisht kompania ECO Recycling vazhdon të ketë aksioner me 51 % kompanisë Eco Tirana.
Eco Recycling nuk ka depozituar as bilancet dhe për këtë shkak, është me status të pezulluar që prej datës 19 shtator 2022.
Grafika që do të ndiqni shpjegon në mënyrë kronologjike të gjitha veprimet korruptive të ndërmarra nga Bashkia Tiranë për monopolizimin e tregut të mbetjeve.
Në 15 dhjetor 2015 firmoset aktmarrëveshja mes Bashkisë Tiranë, I.B Recycling dhe 3.R, për riciklimin e mbetjeve urbane në Sharrë.
Në 7 gusht 2016, gjendet i vrarë në landfillin e mbetjeve urbane në Sharrë, 17-vjeçari Ardit Gjoklaj.
Në 22 qershor 2016, pak ditë para vrasjes së Ardit Gjoklajt, themelohet kompania ECO-Tirana.
Në 22 shkurt 2017, pas vdekjes së Ardit Gjoklajt largohet kompania 3R dhe biznesi i mbetjeve i transferohet MEG Albania në pronësi të Vladimir Fezga.
Në 12 korrik 2017, themelohet ECO Recycling, me aksioner Eco Tiranën e Bashkisë dhe Meg Albania të Vladimir Fezga.
Në shkurt të vitit 2018, MEG Albania del përfundimisht nga biznesi i mbetjeve dhe vëndin e tij e zë një tjetër prestanome, pronari faktik i të cilës është Erion Veliaj.
Deri këtu me dokumentacionin e publikuar në mënyrë kronologjike jemi përballë dyshimit të arsyeshëm se pas kësaj skeme të ngritur në dhjetor të vitit 2015 qëndron Erion Veliaj.
Dyshimi merr fund nësë analizojmë dhe njëherë Akt Marrëveshjen e datës 15.12.2015.
‘I. B. Recycling, lidhja incinerator 5D’
Rikthehemi dhe njëherë në pikën zero të biznesit të plehrave në sharrë, lidhjen e marrëveshjes së datës 15 dhjetor 2015 midis Bashkisë Tiranë dhe dy kompanive I.B Recycling dhe 3.R.
Pas vrasjes së Ardit Gjoklajt, Prokuroria e Tiranës nis hetimet vetëm për njërën nga kompanitë që ushtronin aktivitet në Sharrë.
Kompania I.B Recycling përjashtohet totalisht nga hetimi, e ky fakt na shtyu që të hetonim pak më tej për të dhe pronarët e saj.
Kjo kompani themelohet fill pasi në pushtet erdhën Socialistët në korrik të vitit 2013. Themelues i vetëm, ishte shtetasi Fatbardh Meça.
Që në vitin e parë të operimit, kompania e Fatbardh Meçës, raportoi një rezultat mbreslënës nga biznesi i plehrave. Sipas të dhënave të bilanceve të shoqërisë, në vitin 2013 I.B Recycling arriti të kishte një xhiro prej rreth 87 milionë lekësh të rinj, apo rreth 800 mijë euro.
Fitimi neto i kompanisë për vitin e parë të punës, pra vitin 2013 llogaritet në rreth 19.634.173 lekë, apo rreth 190 mijë euro.
Për vitin 2014, kompania I.B Recycling raporton një xhiro nga shitjet neto prej 158.437.560, apo rreth 1.5 milionë euro, ndërsa fitimi neto për këtë vit llogaritet në 11,132,678 lekë, apo rreth 100 mijë euro. Kuptohet nga shifrat se biznesi i mbetjeve ka qenë mjaft i leverdisshëm.
Një vit pasi themeloi kompaninë, në mënyrë të paparitur, Fatbardh Meça, në 11 shtator 2014 vendosi të shesë aksionet e saj.
Ky transaksion nuk ka asnjë logjikë ekonomike, pasi për vitet 2013-2014 ai ka realizuar një fitim neto në vlerën 290 mijë eurove dhe i shet aksionet për vetëm 100 euro.
Ndonëse i shiti aksionet e kompanisë, Fatbardh Meça nuk u largohet nga ky biznes duke mbajtur ende sot rolin më vendimmarrës, atë të Administratorit.
Po kush është Fatbardh Meça.
Nga Regjistri i Gjendjes Civile, rezulton se Fatbardh Meça është bashkëshorti i shtetases Borana Meça (MOLLA). Borana Molla, rezulton se është vajza e xhaxhait të Redi Mollës, i cili ka mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese në Bashkinë e Tiranës.
Redi Molla rezulton se është pronari faktik i kompanisë ‘5 D Konstruksion’, tashmë pas hekurave. Erion Veliaj hyri me ide të qarta në Bashkinë e Tiranës, për të vënë në jetë këto skema korruptive.
Gjithkush ka menduar se kur u bë publik skandali i kompanisë 5D ishte sistemi që kishte korruptuar disa drejtorë, por faktet që bëmë publike sot tregojnë se Erion Veliaj kishte ngritur tashme një 5D tjetër akoma dhe me flagrante në biznesin e mbetjeve në Tiranë.
Nën drejtimin e Erion Veliaj u ngrit një sistem korruptiv me të njëjtët personazhe që lëvizin nga 5D te Inceneratorët për të përfunduar te kullat më të larta të Tiranës.
Tashme për herë të parë në Shqipëri kjo organizatë kriminale zhduk normën e famshme korruptive 20% dhe instalon sistemin e vjedhjes 100%.
INVESTIGIMI/ Dosja “5D”, dalin në skenë Fatbardh Meça dhe Indrit Zeqa , pse u shmang hetimi për I.B Recycling ? INVESTIGIMI/ Dosja “5D”, dalin në skenë Fatbardh Meça dhe Indrit Zeqa , pse u shmang hetimi për I.B Recycling ? INVESTIGIMI/ Dosja “5D”, dalin në skenë Fatbardh Meça dhe Indrit Zeqa , pse u shmang hetimi për I.B Recycling ? INVESTIGIMI/ Dosja “5D”, dalin në skenë Fatbardh Meça dhe Indrit Zeqa , pse u shmang hetimi për I.B Recycling ? INVESTIGIMI/ Dosja “5D”, dalin në skenë Fatbardh Meça dhe Indrit Zeqa , pse u shmang hetimi për I.B Recycling ?