Albert Demolli përfitoi ditën e djeshme nga amnistia penale. Burri nga Devolli, la qelinë pas dy vitesh burg, por ndryshe nga shumë të tjerë që u pritën nga familjarët, ai nuk kishte askënd që ta priste jashtë ambienteve të burgut të Drenovës.
Ishte gazetari Xhensil Shkëmbi ai i cili e shoqëroi Demollin për në banesën e tij në fshatin e Ponçarës ku dhe rrëfeu se pas daljes nga qelia do të fillonte një jetë të re.
Pa iu dridhur zëri 56 vjeçari tha se ishte dënuar nga Gjykata e Korçës pasi kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, ndërkohë deklaratat e tij gjatë kësaj interviste të shkurtër ishin kondradiktore, shkruan newsbomb.
Njëherë tha se është penduar që kishte dhunuar gruan e tij dhe njëherë jo, pasi ajo e meritonte. Por e vërteta është krejtësisht tjetër. Albert Demolli nuk është i dënuar për dhunë ndaj bashkëshortes por pasi ka ngacmuar seksualisht një të mitur.
Në vitin 2022, Albert Demolli, 54-vjeç aso kohe, kishte ngacmuar seksualisht një 12 –vjeçare.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll bënë arrestimin në flagrancë, për veprën penale “Ngacmimi seksual”, të shtetasit A. D., 54 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll, pasi dyshohet se ky shtetas ka ngacmuar seksualisht një 12-vjeçare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Korçës më 19.05.2022.
Ditën e djeshme ky shtetas është pritur në banesën e tij me “krahët hapur” nga bashkëshortja dhe vajzat e tij, për të cilat në intervistën e dhënë të mërkurën tha se nuk e duan nënën e tyre.