Gjykata e Posaçme ka dënuar me 25 vite burg Klevis Allën, për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e ndodhur në Prill të vitit 2020. Ndërkohë që një preh të dyshuarve kryesorë për vrasjen, Altin Ndoci ka arritur që të marrë pafajësinë.
Ndërkohë, GJKKO ka dënuar me 6 vite burg, Besjan Xhixhën, për vrasjen e Bujar Çelës dhe vendosjen e eksplozivit në shtëpinë e Talos Çelës. Po ashtu GJKKO ka dhënë një dënim me 5 vite burg për vrasjen e Enver Divës, i cili gjithashtu është gjetur fajtor për akuzën e përfshirjes në vrasjen e Bujar Çelës në vitin 2020, në Elbasan.
Klevis Allës iu hoq statusi i të penduarit të drejtësisë, për shkak se në dëshminë e tij për vrasjen e vëllezërve Haxhia, ai nuk përmendi Talo Çelën, i cili ndodhet aktualisht në arrati.
Vetë Alla sipas GJKKO, ka qenë shofer i makinës me të cilën u transportuan vrasësit e Haxhias.
Sipas Allës, ekzekutor ishte Nuredin Dumani. Ai ka treguar se ditën e ngjarjes është takuar me Nuredin Dumanin, i cili në kokë mbante një kapuç si ato të policisë. Bashkë me Nuredinin ishte edhe një person pa kapuç, por nuk e njihte.
Po ashtu Alla ka treguar se ka telefonuar Besmir Haxhinë për t’u takuar. Sipas të penduarit Besmir Haxhia ishte tek dyqani i agjencisë dhe s’ka vonuar shumë dhe ka shkuar tek tregu i Shënvlashit. Sipas të penduarit asnjë nuk ishte në dijeni që Besmiri ishte me vëllanë e tij Viktorin.
Sapo makina “Golf 6” është afruar, Klevis Alla ka treguar se Nuredin Dumani ka ulur xhamin e makinës dhe ka qëlluar e ndërsa ekzekutori tjetër ka qëlluar me xham të mbyllur.
Pasi ka qëlluar mbi dy vëllezërit, Klevis Alla ka treguar se Nuredini ka zbritur nga makina dhe i është afruar vëllezërve ku ka qëlluar sërish mbi ta.
Pas këtij veprimi ata kanë lëvizur drejt varrezave ku Nuredini dhe personi tjetër kanë zbritur dhe kanë marrë rrugën drejt Tiranës. Ndërsa Alla e ka braktisur makinën tip “Benz” disa metra poshtë varrezave aty ku ka hedhur edhe armët e zjarrit.