Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Evis Berberi u vu në pranga mbrëmjen e së mërkurës me kërkesë të SPAK-ut pasi dyshohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Bashkë me të, të akuzuar si bashkëpunëtorë të tij në skemën korruptive, janë arrestuar edhe Valter Begaj, administrator i shoqërisë “NET-GROUP” dhe ortak i shoqërisë “DAAM” sh.p.k dhe Ervis Lami, administratori i shoqërisë “DAAM dhe punonjës i shoqërisë “NET-GROUP”.
Autoriteti Rrugor Shqiptar është një drejtoritë më të rëndësishmit në vend, pasi gjenden miliona euro në tendera dhe projekte të ndryshme në Infrastrukturë.
Evis Berberi nuk është i vetmi drejtor i ARRSH-së i arrestuar i cili ka hëngër “dardha dhe mollë prapa shpine“, (thënie e kryeministrit Rama).
Njihuni me tre drejtorat e tre partive kryesore në Shqipëri, PS, PD dhe LSI që kanë hëngër “dardha dhe mollë” prapa shpine dhe përfunduan në burg.
2018- Prokuroria e Elbasanit firmosi 11 fletë-arreste të bujshme të zyrtarëve të lartë të drejtorisë së rrugëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim..
Në pranga ranë, Andi Toma, ish-drejtori i Drejtorisë së Rrugëve për periudhën 2009-2013 dhe Dashamir Xhika, pasardhësi i tij në krye të ARRSH-së për vitet 2013-2017.
Dy super drejtorat u kallëzuan penalisht për shpërdorim detyre në punimet e rrugës Elbasan-Tiranë.
Dashamir Xhika qëndroi për 4 vjet në krye të ARRSH-së, ai vinte nga radhët e LSI-së dhe nuk u lëviz pavarësisht akuzave për korrupsion.
Xhika kandidoi deputet në zgjedhjet e 25 qershorit 2017 nga radhët e LSI në qarkun e Elbasanit.
Ai nuk arriti që të hynte në Kuvend, pasi kjo forcë politike mori vetëm 2 deputetë, Kryemadhin dhe Haxhinaston ndërsa Xhika ishte i treti në listë.
Andi Toma është personi tjetër që është arrestuar nga policia për abuzimet në rrugën Elbasan-Gjinar.
Ai ka qenë ish-drejtor i Përgjithshëm të Rrugëve nga viti 2008-2013 (në kohën kur qeveriste PD). Andi Toma ka qenë funksionar i Partisë Demokratike. Ai u arrestu dhe disa vite më parë i akuzuar për abuzime gjatë ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës.
Kujtojmë se, Evis Berberi, njeriu i ngushtë i zv/Kryeministres, Belinda Balluku, u arrestua me urdhër të SPAK pasi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
SPAK ka zbuluar skemën si Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë por dhe së fundmi në krye të ARRSH-së ka dhënë 6 tendera kompanisë së ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë që ai zotëronte në mënyrë indirekte.