Armando Osmani apo siç i pëlqen të prezantohet në rrjetet sociale, Liam Mandiaro, u bë kryefjalë e mediave në Shqipëri pa kaluar ende 24 orë që ishte bërë pjesë e Big Brother VIP Albania. Dhe jo për lojën e tij, as për strategjitë që siç u pa mbrëmë i kishte shumë të qarta, por për një hesap që kishte lënë të pambyllur me drejtësinë shqiptare.
Dje, u njoftua nga Policia e Tiranës se ai rezulton i dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Mashtrimi”, pasi në vitin 2019, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.
Zyrtarisht, edhe pse rezultonte i shpallur në kërkim që prej datës 9 maj të vitit 2022, Liami me garancinë e nuk e dimë se kujt, mori rrugën dhe u nis nga Gjermania drejt Shqipërisë me synimin për të qenë fitues i Big Brother VIP Albania. Por, ndoshta nuk ia kishte marrë mendja se ajo që e priste nuk ishte një burg me kamera që do ta rikthenin në skenën e personazhëve publikë, por një qeli e rëndomtë ku do të duhet të vuajë dënimin e marrë.
Por, përtej çështjeve me drejtësinë e veprës penale për të cilën është dënuar, shpallja në kërkim, ardhja nga Gjermania e futja në Big Brother ngre shumë pikëpyetje përsa u përket filtrave që u nënshtrohen qytetarët që futen në Shqipëri.
Rruga që ka ndjekur Liami ka qenë ajo më e zakonshmja, përmes aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, por sistemi nuk e kishte pikasur.
Nga Rinasi, sigurisht që përmes një automjeti, është drejtuar për në kryeqytet, ku ka jetuar e lëvizur lirshëm për 10 ditë. Sërish, asnjë efektiv, asnjë i vetëm, nuk e ka ndaluar Liamin, as nuk e ka verifikuar për çështjen e lënë pezull.
Nata e shfaqjes në ekran…
Deri kur mbrëmë, veshur me kostum e një kapuç në kokë, u prezantua si banori më i ri i Big Brother VIP!
Ka verifikuar apo jo produksioni i këtij spektakli të shkuarën e njeriut që po e shfaqte në ekran si njeriun që do rikthente lojërat në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, kjo mbetet gjithashtu për tu parë, por pikëpyetjet më të mëdha ngrihen për autoritetet shqiptare.
I gjithë ky itinerar na tregoi se në Shqipëri është kaq e thjeshtë të lëvizësh e të qarkullosh lirshëm, pavarësisht se mund të kesh një dënim të vulosur nga Gjykata mbi shpinë.
Megjithatë dy janë opsionet: Më e mira, kemi të bëjmë me një neglizhencë ose tek tuk me një ndonjë segment të korruptuar nga ana e autoriteteve dhe më e keqja me një bashkëpunim për të goditur dy ‘zogj me një gur’, show dhe audiencë. Big Brotherit i duhej një skenar për të lëvizur ujërat që pavarësisht se kanë kaluar 50 ditë, nuk po ndodh, ndërsa Policia e Shtetit me arrestimin e Liamit, kapi dhe ‘prajmin’!/ korrieri