Zbardhen detaje të reja në lidhje me shpërthimin fatal të regjistruar një ditë më parë në Lushnjë ku humbën jetën Roland dhe Elidon Hoxha, babë e bir, ndërsa u plagosën shtatë të tjerë, mes tyre deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela. Raportohet se ky i fundit e ka kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar. Po ashtu rrezikun për jetën e ka kaluar dhe Sokol Lumi, i cili po ashtu ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë.
Ngjarja e rëndë la pas një bilanc tragjik, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se shkak është bërë kontakti që vinçi, në të cilën ndodheshin Roland dhe Elidon Hoxha ka prekur me telat e tensionit të lartë, të cilët kanë bërë shkëndijë elektrike me bombolat e oksigjenit që ndodheshin në kavon e vinçit duke shkaktuar dhe shpërthimin. Por hetimet në lidhje me zbardhjen e ngjarjes vijojnë nga Policia, e cila ka ngritur një grup të posaçëm hetimor.