Tre fëmijët e Pëllumb Metës u lanë në burg nga Gjykata e Durrësit, që vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tyre.
Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare dhe fshehje e asgjësim i kufomës, kryer në bashkëpunim, janë akuzat që rëndojnë ndaj Hygerta, Hysen dhe Amarildo Metës.
Prokurorja i vlerësoi të përgjegjshëm të tre, po përtej fjalëve të ftohta për pendesë e keqardhje, ata u shfaqën të qetë gjatë seancës.
Në seancë, djali i madh, Hysen Meta mohoi vrasjen e të atit dhe u shpreh se motra e tij e vogël e ka kryer këtë krim.
“Nuk ka shkak fare se nuk e kam bërë. Të flasë ai që e ka bërë. Kam parë që motra e vogël ka qëlluar babanë Motra ka pas konflikte. Një nga arsyet se donte ta fejonte me zor dhe kishin debatuar shumë herë”, u shpreh ai.
Hygerta Meta tregoi se i ati ishte i dhunshëm dhe disa herë kishte kërcënuar se do t’i vriste. Sipas saj, babai ka qenë gjithnjë i dhunshëm, por nuk e kanë denoncuar nga frika se mund t’i vriste.
“I thashë JO për fejesën në dhjetor dhe patëm një incident te bombola e gazit dhe u tremba. E preu bombolën dhe refuzoi ta rregullonte dhe kisha frikë se do të më vriste. Në fund të janarit, këmbënguli sërish te fejesa. Më kërcënonte mua dhe mamanë se do na vriste. Mamanë vetëm pse kishte këputur një portokall që thoshte se e kishte mbjellë vetë. Në Bajram e qëlloi fort mamin kur ishte pa mendje në zemër dhe e ka rrahur në prezencën time. Unë jam fëmija i katërt dhe ai gjithnjë ashtu ka qenë, i dhunshëm. Nuk e kemi denoncuar nga frika se ai do na vriste ose nga fisi i vetë dhe mund të paguante dikë tjetër. Do t’ju vras të gjithëve dhe me tritol, thoshte. Mamaja nuk mund të ndahej se i ikte gjysma e pasurisë”.
Ndërsa, djali i vogël i Pëllumb Metës, Amarildo, tha se nuk ka qenë në dijeni të ngjarjes, pasi ka qenë në punë.
“S’kam qenë në dijeni të ngjarjes. Kam qenë në punë. E dija që kishte konflikte me mamin e motrën, po unë nuk i kam parë vetë. Më ka thënë motra që donte ta fejonte me zor. Jo babi”.
Sipas hetimeve, plumbat e kanë kapur Pëllumb Metën një në kokë, një poshtë veshit, një tjetër në gjoks dhe një në bark. E reja mori përsipër krimin dhe deklaroi se veproi e vetme duke shfajësuar vëllezërit dhe të ëmën. Ajo tregoi se groposi të atin në kasollen e lopës dhe zhvendosi automjetin e tij disa kilometra larg banesës, në rrugën që lidh Shënavlashin me sektorin Rinia, për të larguar dyshimet nga banesa e saj. Megjithatë, hetimet nxorën në dritë të tjera fakte. Vrasjen e kreu djali. Ekzekutimi ka ndodhur në një dhomë të shtëpisë dhe më pas trupi është zhvendosur në kasollen, që ndodhej në oborr.