Një shpërthim me tritol ka ndodhur në një banese private, në lagjen numër 4, në Durrës. Banesa në fjalë është e 35-vjeçarit Ilir Koçilja, i arrestuar si autori i vrasjes me thikë të Halili Kokës, ngjarje e ndodhur më herët gjatë muajit.
Nga shpërthimi ka dëme materiale, ndërkohë që policia konfirmon se në banesë nuk banonte njeri pas arrestimit të 35-vjeçarit, familjarët e të cilit jetonte jashtë Shqipërisë. Përveç shtëpisë, raportohet se dëmtime ka pasur dhe një automjet parkuar aty pranë.
“Rreth orës 19:55, në lagjen nr.4, Durrës, në pjesën e jashtme të dritares së banesës së shtetasit I.K., në të cilën nuk banon njeri, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e ngjarjes identifikim dhe kapjen e autorit/ve”, njoftoi policia.
Banorë të lagjes e përshkruan shpërthimin si “të fuqishëm”. Ata thonë se është shkaktuar “zhurmë e madhe” dhe i ka shqetësuar. Disa prej tyre kanë dalë nga banesat për tu informuar se çfarë kishte ndodhur.