Disa persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri ndaj policisë kufitare të shtunën pasdite në qytetin verior të Kosovës, Zubin Potok, dhe si pasojë njëri nga të dyshuarit, serb i Kosovës, është arrestuar, njoftoi Policia e Kosovës.
Policia tha se nuk ka të lënduar nga shkëmbimi i zjarrit mes të dyshuarve dhe oficerëve policorë në fshatin Bube të Zubin Potokut, komunë e banuar me shumicë serbe, në veri të Kosovës.
Të dyshuarit, sipas njoftimit, i shpërfillën urdhrat e policisë për t’u ndalur për kontroll dhe gjuajtën me armë zjarri ndaj oficerëve.
“Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar. Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur veten dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë”, njoftoi Policia e Kosovës.
Policia e identifikoi të dyshuarin si serbi i Kosovës nga Zubin Potoku.
Lexo edhe:
Të shtëna me armë zjarri në Kosovë, policia përplaset me një serb
Gjendet i pajetë një person në Shtërpcë
Ata dyshohet se po kontrabandonin dele nga Serbia në Kosovë.
“Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur të ngarkuara 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës. Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit”, tha Policia.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë Inspektoratin Policor të Kosovës dhe për rastin është njoftuar prokurori, thuhet në njoftim.
I dyshuari, 42 vjeç, është dërguar në paraburgim ku do të mbahet për 48 orë, sipas njoftimit, dhe përballet tani me akuza për sulm ndaj personit zyrtar dhe për kontrabandë me mallra.
“Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vendngjarje janë konfiskuar”, tha Policia.
Ngjarja e sotme vjen gati tre muaj pas sulmit ndaj policisë në Banjskë, në Veri të Kosovë, kur u vra në krye të detyrës efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
Sipas autoriteteve të Kosovës, Milan Radoiçiç ishte udhëheqësi i sulmit terrorist për llogari të Beogradit zyrtar dhe u shpall në kërkim. Pas ngjarjes, Radoiçiç dha dorëheqjen si nënkryetari i Listës Srbska, ndërsa pranoi se ishte pikërisht ai që ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite. Radoiçiç ka gjetur strehim në Serbi, që nga ana e saj refuzon ekstradimin e tij në Kosovë.
Beogradi zyrtar ka mohuar akuzat e Prishtinës se qëndron pas sulmit të 24 shtatorit, ndërkohë kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar dënimin e Serbisë nga BE, duke paralajmëruar se skenari i Banjskës mund të përsëritet.