Pista kryesore ku po heton policia për vrasjen e Elton Javorit është sherri i ndodhur disa ditë me parë mes tij dhe autorit Agim Gashi, për motive ende të paqarta, konflikt gjatë të cilit ka pasur ofendime midis palëve.
Autori i dyshuar Agim Gashi e ka pritur Elton Javorin pranë banesës së tij në Fier dhe sapo ai është nisur me automjetin tip “ Porche” e ka ndjekur me automjetin tip “ Benz” duke i dalë paralel rreth 100 metra larg banesës së tij.
Mesa duket, në këtë moment Gashi i ka folur çka ka bërë që Javori të ulë xhamin e makinës, teksa autori e ka qëlluar me një plumb në qafë duke i shkaktuar një plagë të rëndë. Edhe pse është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Fierit, nuk ka mundur të mbijetojë.
Pasi autori ka qëlluar është larguar menjëherë pa ndaluar fare, ndërsa 41-vjeçari i plagosur ka ecur disa metra me makinë.
Ajo që bie në sy është se Gashi nuk është kujdesur shumë të fshehë gjurmët, pasi është identifikuar nga targat e makinës të kapura nga kamerat e sigurisë pas një krimi në mes të ditës dhe me dëshmitarë.
Autori Agim (Agli) Gashi, 35 vjeç. I riu fierak që njihet edhe me emrin Agli, dyshohet se qëlloi me pistoletë pas qafe Elton Javorin në makinë. Viktima në Fier, është nipi i Medi dhe Demir Backës. I pari Medi Backa, i njohur si anëtar i bandës së Fierit u vra në 1997, në Masakrën e Levanit, me 23 viktima. Kurse Demir Backa u eliminua me kallshnikovë mbrëmjen e 23 tetorit 2021 në qendër të Fierit.
Një tjetër pistë e mundshme është ajo e krushqisë së prishur, por nuk përjashtohet as pista e pazareve të drogës.