Opinioni shqiptar vazhdon të jetë i tronditur nga vrasja makabre e Liridona Ademajt. Burri i saj, Naim Murseli dyshohet se qëndron prapa kësaj vrasje para fëmijëve mbrëmjen e së mërkurës.
Murseli dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë kanë organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, nënë e dy fëmijëve. Sipas mediave, Murseli ka pranuar para organeve të drejtësisë organizimin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Por cila ishte arsyeja që e nxiti atë drejt kësaj vepre kriminale e monstruoze?
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se Naim Murseli para disa kohësh i ka paguar sigurimin jetësor Liridona Ademajt në një kompani të fuqishme suedeze.
Sigurimi jetësor ndër të tjera garantonte që në rast të ndonjë fatkeqësie apo tragjedie jetësore, sigurimi mund të mbulonte shpenzimet deri në 20 milionë euro.
Naim Murseli duke qenë në dijeni për këtë shumë shpaguese dhe mund të jetë inspiruar që të organizojë fundin tragjik të nënës së dy fëmijëve të tij.
Murseli ende s’ka treguar para organeve të drejtësisë arsyen që ka bërë këtë krim, por një nga pistat e besueshme mund të jetë kjo, bazuar në burime të afërta me ish-çiftin.
Policia e Kosovës njoftoi se ka sekuestruar armën me të cilën u qëllua për vdekje Ademaj si dhe 19 fishekë, ndërsa është sekuestruar edhe makina e porositësit të krimit Naim Murseli.
Ky i fundit ka pranuar që të ketë urdhëruar ai vrasjen e bashkëshortes ndërsa autorësinë e ka pranuar edhe Granit Plava i cili po ashtu u arrestua të premten. Plava ka thënë në dëshminë e tij se është paguar nga Murseli 15 mijë Euro paradhënie, ndërsa 15 mijë Euro të tjera do t’i merrte pas kryerjes së krimit.
Veç tyre si i përfshirë në ngjarje u prangos edhe Kushtrim Kokalla. Ky i fundit është anëtar i FSK.
Për të tre të arrestuarit prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit me afat 30 ditë. Policia dyshoi se ngjarja nuk ishte grabitje pas dëshmisë së bashkëshortit të gruas, Naim Murseliot. Ky i fundit ishte kontradiktor në dëshmi, ndërsa deklarime para policisë dhanë edhe dy fëmijët e tij të mitur të cilët thanë se babai ishte i qetë pas ngjarjes dhe se u kishte thënë se gjithçka ishte një lojë.
Policia e lejoi Murselin që t’i merrte pjesë edhe në ceremoninë mortore të 33-vjeçares për të parë reagimet e tij dhe më pas i vendosën prangat