Ministria e Drejtësisië ka dorëzuar dje në Kryeministri versionin përfundimtar ku janë reflektuar, sipas ministrit Ulsi Manja rekomandimet e SPAK.
“Kemi reflektuar rekomandimet e kërkuara nga SPAK, KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e bërë një amnisti dhe më të plotë, nga e cila do të përfitojnë 620 të dënuar”, theksoi Ministri Manja.
Ndërkohë, amnisti nuk mund të përfitojnë të dënuarit për krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës të kryera me dashje, ku përfshihen vrasjet. Nuk amnistohen ata që kanë kryer krime kundër shëndetit, krime seksuale, pengmarrësit, kundër moralit e dinjitetit, fëmijëve, martesës dhe familjes.
Ministria e Drejtësisë propozon që nuk mund të përfitojnë të dënuarit për grupe kriminale dhe krime kundër shtetit, falsifikimit të dokumenteve, që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe ndërtimeve apo kundër mjedisit.
Të dënuarit që nuk kanë asnjë të drejtë amnistie janë edhe ato që kanë kryer krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, që kanë cenuar marrëdhëniet me shtetet e tjera, terrorizëm, krime kundër autoritetit të shtetit apo kundër drejtësisë. Amnistia, nuk u jep ulje dënimi edhe atyre që prekin zgjedhjet e lira, krimet e bandave të armatosura dhe organizatave kriminale.
Nuk përfitojnë ulje të dënimi edhe ata që i janë shmangur ndjekjes penale dhe ata që detyrohen të deklarojnë pasurinë dhe subjektet që gjykohen nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe hetohen nga SPAK.