Pse u sekuestrua Air Albania , kompania me “letra” është tashmë e falimentuar
Aksionet e Air Albania janë të sekuestruara tashmë për shkak të një kërkese nga një kompani përmbarimi, e cila përfaqëson interesat e ish-numrit dy të kompanisë shqiptaro-turke, Sinan Isik.
Z.Isik ka pretendime financiare ndaj kompanisë, por për arsye që nuk dihen ende kompania Air Albania nu kia ka shlyer duke bërë që të ndërmarrë hapat për marrjen e parave me forcë.
Duhet theksuar se kompania nuk ka dorëzuar bilancin që prej vitit 2018 dhe nuk dihet se çfarë po ndodh me të duke marrë në konsideratë faktin se një pjesë e aksioneve i përkasin shtetit shqiptar. Praktikisht në letra, një kompania që nuk dorëzon bilancin prej vitesh, është e falimentuar.
Gazeta Korrieri ka raportuar vazhdimisht për “sulltanatin” Air Albania ku duket se as shteti shqiptar nuk ndërhyn dot sepse turqit bëjnë ligjin në gjithçka, por lufta për “copën e madhe” ka çuar pikërisht në degjenerimin e kompanisë duke shkuar deri aty sa t’i sekuestrohen aksionet për mos shlyerje detyrimesh ndaj të tretëve.
Si nisi historia e Air Albania
Në 15 shtator të 2018-s, ‘Air Albania‘ do të kryente fluturimin e parë.
Ishte një fluturim simbolik me destinacion Stambollin. Pasagjerë ishin studentë të ekslencës që shoqëroheshin edhe nga Kryeministri Edi Rama. Para nisjes, Rama mbajti edhe një fjalim të shkurtër.
“Erdha vetëm të përcjell grupin tuaj dhe jam i bindur jeni këmba më e mbarë për kompaninë tonë të flamurit”, deklaronte Kryeministri.
Pesë vite më vonë, kompanisë së flamurit nuk po i ecin gjërat ashtu siç u shpresua. Përballë konkurrencës së shtuar të kompanive ndërkombëtare, sot kompania e flamurit është në vështirësi financiare.
Nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Air Albania është vendosur nën sekuestro për mosdhënie page ndaj shtetasit turk, Sinan Isik. Ky i fundit ka mbajtur postin e shefit të operacioneve të fluturimeve, si edhe trajnues i stafit të kompanisë me flamur shqiptar, por ku 49 për qind të aksioneve i zotëron Turkish Airlines.
Për mosmarrjen e pagës, Isek ka ngritur një padi në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë. Kjo e fundit i ka dhënë të drejtë dhe vendimi ka marrë formë të prerë më datë 4 Tetor. Më datë 6 Nëntor, në Qendrën Kombëtare të Biznesit është dorëzuar urdhri i vendosjes së sekuestros konservative për aksionet dhe kuotat e kompanisë.
Masa e sekuestros mund të jetë edhe pasojë e burokracive, mungesës së koordinimit, apo neglizhencës juridike nga ana e kompanisë.
Por, në thelb vendosja e sekuestros për mospagesën e pagës sugjeron se problemet financiare për kompaninë janë më shumë të se thella.
Kompania nuk ka dorëzuar bilancet financiare për vitin 2022, ndërsa në ekstraktin historik të QKB-së mungojnë bilancet financiare edhe të viteve paraardhëse.
Si nisi themelimi i “Air Albania”:
Në qershor të 2018-s, Qeveria nisi procedurat për krijimin e shoqërisë me tre ortakë, ku vetë shteti shqiptar zotëron vetëm 10 për qind të aksioneve përmes kompanisë AlbControl.
Kompania turke, “Turkish Airlines” zotëron 49 për qind të tyre, ndërsa kompania “MDN Investment” me pronar në Sinan Idrizin 41 për qind të tjerat.
Marrëveshja trepalëshe u miratua nga qeveria shqiptare më 11 shtator 2018. Tre ortakët e shoqërisë “Air Albania”, sipas marërveshjes nuk mund të tjetërsojnë apo shesin kuotat që kanë në kompani për një periudhë 5-vjeçare, afat i tejkaluar tashmë.
Shtetasi turk Sinan Dilek u caktua administratori i parë i kompanisë, pozicion që vijon ta mbajë ende. Kompania, sipas dokumentacioneve të dorëzuara në QKB kishte një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh.