Kanë kaluar disa ditë dhe ende nuk ka asnjë të arrestuar për vrasjen e 34-vjeçarit shqiptar Klaudio Myrtaj në Itali. Ai u qëllua me një plumb në kokë teksa po punonte.
“Një e shtënë në kokë. Autori nuk vrau, por e la në agoni të riun, i cili në atë moment mbante kufjet e celularit për të dëgjuar muzikë” shkruajnë mediat italiane bazuar tek dosja. Për mediat kanë folur gruaja dhe motra
“Ne ishim bashkë që nga marsi, e donim njëri-tjetrin, disa debate si në çdo çift. Një burrë fantastik, por shumë xheloz. Unë kam pasur eksperiencat e mia, por atë që ai më dha nuk e kam ndjerë kurrë me askënd. Unë isha mbretëresha e tij.
Ai kishte ndryshuar jetën e tij për mua dhe për vajzën, të cilën ai e adhuronte. Ishte hera e parë që punonte për shokun e tij, ndoshta për të fituar para.
Këtë e ka bërë nga e marta deri të shtunën, me pushim të enjten në mëngjes, kur e shoqërova te mjeku për një dëmtim në dorë. Ne ishim bashkë të enjten në mbrëmje, nuk u pamë të premten, mesazhi i tij i fundit më mbërriti në orën 15:56 të së shtunës.
Domethënë një orë para vrasjes. Më thirrën, u duk aksident, pastaj më shpjeguan. Që atëherë, unë dhe vajza ime kemi jetuar në terror dhe ankth, vetëm shpresojmë që ata të gjejnë personin përgjegjës.
Drejtësi për të, për ne, familjen e Klaudios, nënën, motrën e tij. Po përgatisnim pasaportat që të shkonim të kalonim natën e Vitit të Ri me ta” tha gruaja e shqiptarit.