4 vite më parë, kur SPAK sapo u krijua dhe mori “bekimin” e të gjitha palëve politike në vend, pakkush do ta mendonte se steka e hetimit do të ngrihej në nivelin ku jemi sot. 1 muaj më parë, përpara se SPAK të niste aksionin me një valë hetimesh në radhët e opozitës, debati politik ishte përqëndruar te lufta e brendshme në PD dhe te mungesa e reagimit nga shoqëria. Por çfarë ka ndodhur? Që prej 21 tetorit, një valë e re duket se ka nisur. Skena politike po ndryshon me shpejtësi. Jamarbër Malltezi është në burg, ndërsa Sali Berisha me të tijët janë investuar në një betejë politike që nuk i dihet fundi…
Në një kohë që Berisha i akuzon prokurorët e SPAK që veprojnë si banditë në emër të Edi Ramës, një pjesë e prokurorëve të posaçëm ishin në një vizitë disaditore në SHBA, ku zhvilluan takime të rëndësishme në DASH, një shenjë e qartë kjo se ata nuk janë vetëm gjatë punës së tyre në Shqipëri. Por dosja ‘Partizani’ për të cilën thuhet se do të sjellë fundin politik të Berishës, nuk është e vetmja ‘patate e nxehtë’ që hetohet korridoreve të SPAK. Shkallët e të cilës u ngjitën gjatë ditës së djeshme nga kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Ky i fundit është marrë në pyetje nga kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, i cili ka rihapur dosjen e aferës CEZ-DIA, për të cilin ka pasur vetëm një person të dënuar, Kastriot Ismailaj.
Biznesmeni është në ditët e fundit të qëndrimit të tij në burgun e Fierit, ndërkohë që familja ndodhet në Austri ku ka përfituar dhe azil politik. Në media dhe jashtë saj familjarët pretenduan se u kërcënuan, por asnjëherë nuk përmendën emra konkretë, ndërkohë që emri i Ismailajt është përmendur për herë të parë nga Dritan Prifti si person i afërt me Ilir Metën, por le ti marrim gjërat me radhë!
Në SPAK ka gjithashtu një dosje tjetër për Partinë e Lirisë që lidhet pikërisht me lobingjet e dyshimta që kjo forcë politike ka kryer në SHBA.
Edhe Lulzim Basha nuk është në pozitë më të mirë sa i takon lobingjeve, pasi vetë ai akuzohet se kur ka qenë në krye të PD-së ka përfituar para nga rusët, ndërkohë që çështja është risjellë së fundi në vëmendje dhe nga mediat britanike, si BBC.
Një tjetër dosje e rihapur ka për protagonist një eksponent të opozitës, kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediu, i cili ka mbajtur postin e Ministrit të Mbrojtjes, në kohën ku në Gërdec ndodhi shpërthimi në fabrikën e demomtimit të armëve, ku humbën jetën 26 njerëz. 15 vite më pas SPAK ka rihapur hetimet për këtë dosje, që mes rreshtave ka të përfshirë dhe djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzenin, ndërsa ky i fundit është distancuar nga përgjegjësia penale mbi këtë tragjedi.
Në anën tjetër të peshores, SPAK ka shpallur në kërkim ish-numrin dy të qeverisë Arben Ahmetaj, i cili akuzohet për aferën e inceneratorëve, si dhe për privatizimin e ish-shoqërisë shtetërore Buka, në truallin e të cilës është ngritur sot një qendër tregtare dhe njësi banimi. Ahmetaj në të dy rastet akuzohet nga Prokuroria se ka lidhje të afërt me biznesmenët përfitues, ndërkohë që i është vënë nën sekuestro pasuria. Në momentin që SPAK lëshoi arrest ndaj tij, ish-ministri socialist ishte larguar nga vendi dhe duket se do të vijojë përballjen me drejtësinë nga arratia.
Po ashtu nën hetim janë vënë disa kryebashkiakë socialist, nga Rakip Suli i Kamzës, te Edison Memolla i Rrogozhinës. Pas hekurave gjithashtu gjenden Vangjush Dako që drejtoi për 3 mandate Durrësin, apo Lefter Alla i Bulqizës, apo Safet Gjici i Kukësit, që më shumë sesa për një vepër që lidhej me detyrën, u prangos për një videoskandal erotik në zyrën e tij.
A është i mjaftueshëm ky “tërmet” politik i SPAK që ka ndryshuar njëherë e mirë skenën politike në Shqipëri?
Pritshmëritë përtej akuzave politike mbi SPAK, janë të larta, pasi në 33 vite në vendin tonë vendosja e zyrtarëve të lartë përpara drejtësisë ka qenë i paktë, me raste që numërohen me gishtat e duarve. A do të arrijnë 18 prokurorët e SPAK që të bëjnë atë që vetë politika nuk ka mundur në këto vite demokraci? Të ndryshojnë klasën politike përmes arrestimit të të korruptuarve dhe atyre që kanë shpërdoruar me detyrën? Hapat e parë duket se vetëm sa kanë filluar!