Shqipëria u përball me një valë turistësh, të cilët veç pushimit, kërkuan aventurën e tingujve të muzikës live. Kafene të vogla në bregdet, restorante me pamje nga deti dhe sheshet e qyteteve u shndërruan në arena për artistët vendas dhe ndërkombëtarë. Si ishte jeta e natës këtë verë? Turizmi në Shqipëri ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në gjallërimin e jetës së natës dhe zhvillimin e skenës muzikore, duke sjellë një frymë të re për muzikën live dhe duke përmirësuar mundësitë për këngëtarët të shprehin talentin e tyre dhe të rriten të ardhurat e sektorit.
Vitet e fundit, Shqipëria ka qenë në qendër të hartës së turistëve anembanë, duke çuar në një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve që vizitojnë vendin për të shijuar bukuritë natyrore, kulturën e pasur dhe një jetë “aktive” të natës. Ndikim i dukshëm është bërë në sektorin e muzikës live, sidomos duke marrë në konsideratë vitet e vështira pas pandemisë, ku qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Saranda dhe Vlora kanë shndërruar plazhet, rrugët dhe sheshet e tyre në skena argëtuese. Klubet dhe baret këtë verë kanë rritur nivelin e tyre të shërbimit dhe krijimin e eksperiencave për vizitorët, të cilët kanë qenë një ndërthurje e shqiptarëve vendas, të diasporës si dhe të huaj.
Koncertet e muzikës live kanë gjetur hapësira të reja dhe të veçanta për t’u organizuar, ndërsa shfaqjet e artistëve kanë gjallëruar më tej netët e nxehta. Sipas Xhani Demika, menaxher këngëtarësh, këtë vit këngëtarët shqiptarë kanë fituar rëndësi të veçantë në këtë skenë të re të turizmit.
Përveç përfitimeve financiare, sipas tij, ata kanë pasur mundësi të ndajnë muzikën e tyre me audienca ndërkombëtare, duke i bërë këto momente të bukura dhe të paharrueshme për ata që i ndjekin. “Shfaqjet live ofrojnë një mundësi të rrallë për të përfshirë emocionet dhe energjinë e tyre në çdo tingull, duke shkaktuar ndjesi të thella tek ata që i dëgjojnë.
Kjo industri është ë dyanshme, drejtuesit e bizneseve duan vizitorë e xhiro, këngëtarët duan famë dhe pagesa” – thotë z. Demika.
Muzika është padyshim një nga “armët” kryesore në industrinë e argëtimit, por nuk duhet të mbetet e vetmja. Sipas Dorjan Maknori, menaxher i disa klubeve në kryeqytet, kjo industri duhet të shoqërohet me investime në ambient, por edhe në teknologjinë e ndriçimit, audios dhe efekteve speciale, të cilat i shtojnë kostot këtij sektori.
Megjithatë, një avantazh, sipas tij, në ditët e sotme janë rrjetet sociale që shërbejnë si kanalet më të mira të përçimit të mesazheve. Bizneset e argëtimit i shohin rrjetet sociale, sidomos Instagram-in, si një mjet me kosto të ulët i cili garanton përhapjen e lajmeve mbi evente të ndryshme.
Jugu “mbretëron”
Në qytetet e bregdetit jugor të Shqipërisë, jeta e natës është një ndërthurje e muzikës, ngjyrave të ndriçuara, atmosferës argëtuese. Turistët gjejnë muzikë të larmishme, nga muzika tradicionale shqiptare e deri te ritmet moderne të pop, dance dhe rock. Këngëtarët dhe grupet muzikore shqiptare kanë platforma të shumta për të shfaqur talentin në një ambient që ka arritur të kombinojë pasurinë natyrore me energjinë e muzikës së natës. Këtë vit, sikurse edhe vitet e kaluara, ka dominuar Saranda dhe Vlora. Sipas Xhani Demika, menaxher i një club-i në Sarandë, ky vit ka qenë më i suksesshmi i katër viteve të fundit.
Sipas tij, ka pasur bashkëpunime me shumë këngëtarë apo grupe, duete me këngëtarë shqiptarë dhe të Kosovës. “Nuk e kemi parë shumë ndikimin e frekuentimit të turistëve të huaj duke qenë se audienca e këngëtarëve që ne kemi pasur, është më së shumti shqiptare”.
Por, shpjegon më tej ai, në raste këngëtarësh me origjinë shqiptare por që janë të njohur në Zvicër, Itali, Londër, Gjermani, si Ledri, Noizy, Dhurata Dora, Tayna, ka ndikuar që të frekuentojnë edhe turistë të huaj, duke qenë se edhe vendndodhja e klubit ka qenë e preferuar.
“30% e frekuentuesve të klubit kanë qenë nga Çekia, Danimarka, Polonia, Italia, Spanja, Franca, Britania. Pjesa tjetër kanë qenë shqiptarë vendas dhe shqiptarët e diasporës. Siç e thashë më parë, frekuentimi ka qenë më i miri i pas pandemisë”- thotë z. Demika.
Noizy, Dafina Zeqiri, MC Kresha, Elvana Gjata, Tayna janë të tjerë emra artistësh të preferuar sipas tij dhe me rezervime të plota për çdo shfaqje të organizuar. Këtë verë, jeta e natës ka qenë më e gjallë se çdo vit tjetër, në cilësinë e ofruar nga këngëtarët, si dhe në numër frekuentuesish dhe konsumi.
Vija bregdetare e Durrësit
Një tendencë e viteve të fundit, por me rritje këtë verë, është ajo e turistëve të huaj edhe në vijën bregdetare të Durrësit e Kavajës. Përveç shqiptarëve brenda kufijve, si dhe atyre të diasporës, të huajt që kanë ardhur për turizëm në Shqipëri, janë shndërruar në frekuentuesit kryesorë të klubeve verore. Këngëtarët kanë qenë të gatshëm të këndonin në datat që u është kërkuar dhe kjo ka ndihmuar edhe situatën e biznesit të muzikës këtë vit.
Sipas burimeve nga një hotel në Golem, një këngëtar është artist dhe mbret i skenës, ndaj dhe pëlqehet më tepër. “Në çdo performancë, në çdo natë, jemi siguruar që shijet të jenë të njëjta me vendet e tjera, që i kanë testuar edhe më parë këto përvoja. Këtë vit është bërë një miksim e muzikës shqiptare dhe asaj të huaj, pasi edhe turistët që kanë përdorur hotelin kanë qenë në masën 80% çekë, polakë etj.”
Ergys Keta, menaxher, thotë se sezoni ka qenë shumë i mirë. Kanë realizuar investime të reja, si dhe nga ana e programit është përpiluar një skedë me eventet e parashikuara.
Këngëtarët më të pëlqyer, si dhe ata që kanë qenë në fillim të këtij sezoni, sipas z. Keta, janë Ledri Vula, Elvana Gjata, Ylli Limani etj. Pagesa për këngëtarët ndryshon, sipas tij, në varësi edhe të hiteve dhe të repertorit.
Ai shton se, ndonëse shqiptarët kanë maninë të ankohen për çmimet, për jetesën e vështirë etj., kur flitet për argëtim nuk bëjnë kompromise, por shpenzojnë. Turistët, sipas menaxherit të një club-i në Durrës janë një ndër frekuentuesit kryesorë që synohen, duke marrë në konsideratë që në bregdetin e Durrësit janë shtuar turistët, sidomos nordikë, vitet e fundit. Sa i përket konkurrencës, Ergysi thotë se pjesa më e madhe e klubeve kryesore në vend punojnë për një qëllim kryesor: atë të zonës VIP, ku dhe shpenzimet janë më të larta./Monitor