Skandal, i hetuari për trafik droge Julian Balliu emërohet në krye të Task Forcës së Policisë Rrugore për Milot-Morinë
Mediat raportojnë sot se një trafikant droge, i shpallur në kërkim më herët nga policia, Julian Balliu është emëruar gjatë ditëve të fundit në krye të Task Forcës së Policisë Rrugore që kontrollon aksin Milot-Morinë.
Duket e pabesueshme por ka ndodhur në të vërtetë dhe që prej dy ditësh Balliu drejton pikërisht këtë Task Forcë që ka detyrën për të vënë rregull në këtë aks shumë të rendësishëm për vendin.
Sipas Top Channel, Julian Balliu ishte në krye të Policisë Rrugore të Lushnjes, kur në vitin 2018 u hetua fillimisht SHKB dhe më pas nga Krimet e Rënda për trafik të lëndëve narkotike. Në atë kohë, gjykata dha vendimin e arrestit me burg në mungesë.
Balliu dyshohej se, gjatë kohës që drejtonte Policinë Rrugore ka favorizuar qarkullimin e një kamioni që duhej të ishte i ngarkuar me dru. Por, pas daljes nga Shqipëria në datën 9 janar 2017, siç rezultoi sapo mbërriti në Ankona, mjeti ishte i mbushur me 2.5 tonë hashash.
Prej 13 janarit 2017, atëherë kur u sekuestrua ngarkesa me kanabis, hetimet u drejtuan nga një njësi prokurorësh mes Shqipërisë dhe Italisë.
Më heret, me urdhër të Krimeve të Rënda, për dosjen e 2.5 tonëve hashash është arrestuar edhe një zyrtar i Policisë së Fierit, kryekomisari Festim Lelaj. Ndërkohë që para drejtësisë, për këtë rrjet trafikantësh pritet të dalin edhe dy doganierë e efektivë të Policisë Kufitare Durrës. Në një kohë që në Itali është arrestuar edhe shoferi i kamionit të drogës, Dhimo Koraj.
Emri i ish-zyrtarit të policisë, Julian Balliu, nuk është i panjohur për publikun. Pak ditë para këtij skandali në vitin 2018 emisioni “Fiks Fare” transmetoi një video, në të cilën ai bënte pazar për të shitur 200 gramë kokainë te një qytetar, të cilit i detyrohej një shumë lekësh. Edhe për këtë çështje 40-vjeçari u shpall në kërkim, por ai ia ka dalë mbanë të arratiset. –Korrieri