Si shpërndahen në Durrës tenderat disa milionë euro, tek drejtori i Ujësjellësit të falimentuar Spartak Kovaçi , në lojë babai Petrit
Nga Adriatik Doçi
Petrit Kovaçi është babai i Spartak Kovaçit, drejtorit të Ujësjellës Kanalizime Durrës, ndërmarrje e cila ka shpallur falimentin pasi detyrimet financiare arrijnë 160 milionë euro.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Durrës është në pronësi të Bashkisë Durrës me 32 % të aksioneve dhe të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës me 51 % të aksioneve.
Petrit Kovaçi është bashkëpronar me 50 % i kompanisë së ndërtimit ‘Adriatik’ me nipt J61807505I, themeluar në tetor 2004.
Në 31 tetor 2022, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ka shpallur kompaninë e Petrit Kovaçit fituese të tenderit me vlerë 350 mijë euro, me objekt “Sistemim KUB në rrugën Taulantia”.
Diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është 903 767 lekë, çka tregon ‘seriozitetin’ e garës.
E vetmja kompani pjesëmarrëse në garë, Beqiri shpk, është skualifikuar me pretendimin se nuk përmbushte kriteret.
Në kohën kur kompania e babait Petrit Kovaçi është shpallur fituese e tenderit nga Bashkia Durrës, i biri Spartak Kovaçi ishte drejtor i Ujësjellësit, i cili varet pjesërisht nga Bashkia Durrës.
Ky tender me vlerë simbolike është tregues i një skeme jo aq të sofistikuar ku në lojë janë dhjetëra milionë euro.
Gjatë 7 viteve të fundit, kompania ‘Adriatik’ me bashkëpronar Petrit Kovaçin ka marrë rreth 35 milionë euro tendera publikë në bashkëpunim me kompanitë Kupa, Varaku.e, Vas Construction, Kronos Konstruksion, Ed Konstruksion, 2T, Vëllezërit Hysa, Rej etj.
Një tender me vlerë rreth 19 milionë euro, kompania e Petrit Kovaçit e ka marrë pikërisht nga Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me kompanitë 2T dhe Vëllezërit Hysa, konretisht tenderin me objekt ‘Rehabilitimi i infrastrukturës së rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujrave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit Faza I”. Kontrata është lidhur në janar 2022.
Ndërkaq, kompanitë bashkëpuntore dhe bashkëfituese në tendera me kompaninë ‘Adriatik’ të Petrit Kovaçit, kanë fituar tendera me vlerë miliona euro nga Ujësjellësi i Durrësit, me administrator Spartak Kovaçi, i biri i Petritit.
Mes të tjerave, Ed Konstruksion i katërshes Ibrahimi, ka fituar nga Ujësjellësi i Durrësit edhe tenderin me vlerë rreth 4 milionë USD, me objekt ‘Rikonstruksione në rrjetin ekzistues të qytetit të Durresit, zona 13/2 dhe ndërtimi i Depos 2/2,Loti I, Bashkia Durrës’.
Ndërkaq, 2T dhe Kupa, ortake të kompanisë së babait të të Spartak Kovaçit, kanë marrë mbi 10 milionë euro tendera nga Ujësjellësi Durrës me në krye Spartak Kovaçin.
Dhe paratë duket se do të shpërthejnë diku.
Në rrugën Plazh/13 në Durrës ka nisur të ndërtohet një hotel, i cili do të marrë emrin Azure Elegance Hotel, një investim disa milionë euro.
Pas këtij ndërtimi qëndron pikërisht Spartak Kovaçi, kamufluar me babanë, si dhe kushëriri i tij Genti Klosi, vëllai i drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi, kunati i Alda Klosit.
A bazohet investimi në para të ligjshme, që do të thotë në kursime, ndarje dividenti, kredi etj?
Përgjigja i takon SPAK-ut, i cili i ka bllokuar disa ditë më parë telefonin dhe kompjuterin Spartak Kovaçit. /GazetaKorrieri