Një vrasje me armë zjarri ka tronditur mesditën e kësaj të marte Rrëshenin, ku është ekzekutuar shtetasi Martin Bardhi, një emër i njohur për policinë, pasi ka qenë i dyshuar për disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur më herët në këtë qytet.
Dyshohet se 62-vjeçari Martin Bardhi ka qenë një prej autorëve të të shtënave me armë ndaj Saimir Reçit, një ngjarje e ndodhur po ashtu në Rrëshen, në fillim të këtij viti.
Pak kohë më parë Bardhi u arrestua dhe më pas u la i lirë. Por megjithëse i shpëtoi akuzave të drejtësisë në lidhje me përplasjen me fisin Reçi, Bardhi nuk i ka shpëtuar plumbave të krimit, që pasojnë një seri hakmarrjes mes fiseve në Rrëshen.
Vrasja ka ndodhur pranë spitalit të qytetit të Rrëshenit, shumë pranë ambienteve të komisariatit të policisë. Policia ka ngritur disa pika kontrolli, por edhe pse bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në një qytet të vogël, në mes të ditës, autori/autorët nuk janë vënë në pranga.