Në ditët e fundit po flitet shumë për konsumimin e drogës “tullumbace” në lokalet e natës, kryesisht në Tiranë.
Në zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, mund të porositësh ‘Tullumbacen’ me oksid azoti sikur të jesh duke kërkuar një kafe.
Janë mosha shumë të vogla ato që e konsumojnë këtë lloj droge, që në fillimet e adoleshencës.
Gazetarja Aida Topalli tregoi në emisionin “GoodMorning Albanian” se e ka provuar drogën tullumbace, që e kishte gjetur për 250 lekë.
“On line mund të gjenden bombola azoti që shiten në Instagram, mund ta sjellin edhe me postë. E kam provuar shumë pak gjatë kohës që bashkëpunonim me të rinjtë për temën dhe nuk ma ka dhënë efektin se ishte psikologjike se nuk e kam pirë të gjithë tullumbacin, pastaj kam pasur dhimbje të tmerrshme koke, pas gjysmë ore. E konsumova për kuriozitet, për të parë çfarë përfitojnë adoleshentët nga kjo gjë”, tha gazetarja.
Sipas mjekëve kjo substancë mund të shkaktojë asfiksi deri dhe në humbje jete në varësi të sasisë që konsumohet, sepse ndikimi i saj bën që të shkëputet furnizimi me oksigjen.
Ajo shkakton ndjesi euforie dhe dehjeje, por kjo është vetëm në momentet e para.